Psalmet 68
1 Për dirigjuesin. I Davidit. Psalm. Këngë. Perëndia do të çohet, do të shpërndahen armiqtë e tij dhe do t'ia mbathin nga prania e tij ata që e urrejnë.
2 Siç davaritet tymi, kështu do t'i davaritësh. Siç shkrihet dylli në praninë e zjarrit, kështu do të humbasin të ligjtë nga prania e Perëndisë.
3 Por të drejtët do të gëzohen, do të shenden përpara Perëndisë dhe do të galdojnë me gëzim.
4 Këndojini Perëndisë, psalmoni për emrin e tij! Ngrini një këngë për atë që kalëron mbi retë – Jah është emri i tij – dhe gazmoni përpara tij!
5 Atë i jetimëve dhe gjykatës për vejushat është Perëndia në banesën e tij të shenjtë.
6 Perëndia i bën të vetmuarit të banojnë në një shtëpi, i nxjerr jashtë të burgosurit dhe i çon në begati. Vetëm ata që rebelohen, vendosen në thatinë.
7 O Perëndi, kur ti dole përpara popullit tënd, kur ti marshove në shkreti, (selah)
8 toka u drodh; edhe qiejt pikuan shi në praninë e Perëndisë, vetë Sinai u drodh në praninë e Perëndisë, Perëndisë së Izraelit.
9 Shi të bollshëm ke bërë të bjerë, o Perëndi. Trashëgiminë tënde, që ishte e sfilitur, ti e ke bërë të qëndrueshme.
10 Bashkësia jote ka banuar në të; në mirësinë tënde ti e bën të qëndrueshme për të varfrin, o Perëndi.
11 Zoti jep një thënie; gratë që sjellin lajm të mirë, janë një ushtri e madhe:
12 "Mbretërit e ushtrive ia mbathin, ia mbathin, kurse gruaja e shtëpisë ndan plaçkën".
13 Nëse ju burra shtriheni ndërmjet tharqeve, do të jeni si flatra pëllumbeshe mbuluar me argjend dhe si pendët e saj në të verdhemën e arit.
14 Kur i shpërndau i Plotfuqishmi mbretërit aty, binte borë në Calmon.
15 Mal i Perëndisë është mali i Bashanit; mal i shumë kreshtave është mali i Bashanit.
16 Përse shikoni me zili, o male të shumë kreshtave? Këtë mal ka dëshiruar Perëndia, që të rrijë në të. Po, Jahveh-u do të vendoset aty përgjithnjë.
17 Koçitë e Perëndisë janë dy herë dhjetëra mijëra e mijëra mijërash; Zoti është ndër ta si në Sinai, në shenjtërinë e tij.
18 Je ngjitur në lartësi, ke zënë rob robërinë, ke marrë dhurata ndër njerëz, madje edhe ndër ata që rebelohen; që të banojë aty Jah-u Perëndi.
19 Bekuar qoftë Zoti! Ditë për ditë mban ngarkesën tonë, Perëndia është shpëtimi ynë. (selah)
20 Perëndia është për ne Perëndi i veprave shpëtuese, dhe Jahveh-ut, Zotit, i përkasin rrugëdaljet nga vdekja.
21 Njëmend, Perëndia do të dërrmojë kryet e armiqve të tij, çafkën me flokë të atij që ecën në fajet e tij.
22 Zoti ka thënë: "Nga Bashani do t'i kthej, do t'i kthej nga thellësirat e detit,
23 me qëllim që t'i dërrmojë këmba jote në gjak dhe gjuha e qenve të tu të marrë pjesën e vet prej armiqve të tu".
24 Ata i kanë parë procesionet e tua, o Perëndi, procesionet e Perëndisë tim, Mbretit tim, në shenjtërore.
25 Përpara janë këngëtarët, pas tyre ata që u bien veglave me korda, në mes të vashave që u bien dajreve.
26 Në tubime bekoni Perëndinë, Jahveh-un, o ju që jeni nga burimi i Izraelit!
27 Atje është Beniamini, më i vogli, që i sundon ata; pastaj prijësit e Judës me grumbullin e tyre, prijësit e Zabulonit dhe prijësit e Neftalit.
28 Perëndia yt ka urdhëruar forcën tënde. Trego forcë, o Perëndi, ti që ke vepruar për ne!
29 Për shkak të tempullit tënd që është mbi Jerusalem, ty do të të sjellin mbretërit peshqesh.
30 Hakërreju kafshës së kallamishtes, tufës së demave të fuqishëm me viçat e popujve, derisa ta ulin veten me copa argjendi. Ai ka shpërndarë popuj që në luftëra kënaqen.
31 Emisarë do të vijnë nga Egjipti, Etiopia do t'i shtrijë me shpejtësi duart e saj drejt Perëndisë.
32 O mbretëri të tokës, këndojini Perëndisë, psalmoni për Zotin, (selah)
33 për atë që kalëron mbi qiejt e qiejve të lashtë! Ja, ai nxjerr zërin e tij, është një zë i fortë.
34 Atribuojani forcën Perëndisë! Mbi Izrael qëndron madhështia e tij dhe forca e tij është në retë.
35 Ti je i frikshëm, o Perëndi, nga shenjtërorja jote! Perëndia i Izraelit është ai vetë që i jep forcë dhe fuqi të madhe popullit. Bekuar qoftë Perëndia!
Të gjithë librat
