Psalmet 66
1 Për dirigjuesin. Këngë. Psalm. Brohoritni për Perëndinë ju, e gjithë toka!
2 Psalmoni për lavdinë e emrit të tij, bëjeni të lavdishëm lëvdimin e tij!
3 Thuajini Perëndisë: "Sa të frikshme janë veprat e tua! Për shkak të madhësisë së forcës sate, ty do të të lëvaren armiqtë e tu.
4 Gjithë toka do të bjerë përmbys para teje dhe do të psalmojnë për ty. Do të psalmojnë për emrin tënd". (selah)
5 Ejani dhe shihni veprat e Perëndisë; atij që është i frikshëm në çfarë bën për bijtë e njeriut.
6 Ai e ktheu detin në terë, nëpër lumë ata kaluan në këmbë. Atje le të gëzohemi në të!
7 Ai sundon me fuqinë e tij përjetë, sytë e tij vëzhgojnë ndër kombe. Ata që rebelohen, të mos e lartësojnë veten! (selah)
8 Bekoni, o popuj, Perëndinë tonë dhe bëjeni të dëgjohet zëri i lëvdimit të tij!
9 Atë që e mban shpirtin tonë ndër të gjallët dhe nuk lejon që të na lëkundet këmba.
10 Sepse na ke provuar, o Perëndi, na ke rafinuar siç rafinohet argjendi.
11 Na ke futur në rrjetë, ke vënë një rëndesë në ijët tona.
12 Ke bërë që të kalërojnë njerëz mbi kokën tonë. Ne kemi hyrë në zjarr e në ujëra, por na ke nxjerrë në një vend begatie.
13 Unë do të hyj në shtëpinë tënde me flijime shkrumbimi, do t'i përmbush ndaj teje kushtet e mia,
14 që kanë shprehur buzët e mia dhe që ka folur goja ime në ngushticën time.
15 Flijime shkrumbimi të majme do të të ofroj, me tymin erëmirë të deshve. Do të bëj flijim qe bashkë me cjep. (selah)
16 Ejani, dëgjoni, të gjithë ju që keni frikë Perëndinë, dhe unë do të kumtoj çfarë ka bërë ai për shpirtin tim.
17 Drejt tij kam thirrur me gojën time dhe përlartësim ka pasur në gjuhën time.
18 Nëse do të kisha parë paudhësi në zemrën time, nuk do të dëgjonte Zoti.
19 Megjithatë, Perëndia dëgjoi; dëgjoi me vëmendje zërin e lutjes sime.
20 Bekuar qoftë Perëndia, që nuk e ka hedhur poshtë lutjen time dhe as ka hequr besëmirësinë e tij prej meje!
Të gjithë librat
