Psalmet 65
1 Për dirigjuesin. Psalm i Davidit. Këngë. Për ty, o Perëndi, mbajtja qetësi është lëvdim në Sion; dhe ndaj teje do të përmbushet çdo kusht i lidhur.
2 O ti që dëgjon lutjen, te ti çdo mish do të vijë.
3 Çështjet e paudhësive të mia më kanë mundur, por shkeljet tona ti vetë i shlyen.
4 Lum ai që ti e zgjedh dhe e afron, që të banojë në oborret e tua! Le të ngopemi me mirësinë e shtëpisë sate, tempullit tënd të shenjtë!
5 Me vepra të frikshme na përgjigjesh në drejtësi, o Perëndi i shpëtimit tonë, që je besimi i mbarë skajeve të tokës dhe i detit të largët,
6 që i bën të qëndrueshme malet me forcën tënde, që ngjishesh me fuqi,
7 që qetëson buçimën e deteve, buçimën e dallgëve të tyre dhe gjullurdinë e popujve.
8 Kështu që ata që banojnë në skajet e tokës, kanë frikë prej shenjave të tua. Çdo agim dhe muzg i bën të lëshojnë britma hareje.
9 Ti e viziton tokën dhe e tejmbush me ujë; tej mase e pasuron. Rrjedha e Perëndisë është plot me ujëra. Ti përgatit drithin për njerëzit, sepse kështu e përgatit tokën.
10 Brazdat e saj i ngin me ujë, i sheshon plisat e saj; me rrebeshe e shkrifton, filizin e saj e bekon.
11 Ti e kurorëzon vitin me mirësinë tënde dhe vazhdat e tua pikëlojnë bollëk.
12 Pikëlojnë kullotat e shkretëtirës dhe me ngazëllim kodrat ngjishen.
13 Vishen livadhet me kope dhe luginat mbulohen me grurë. Brohorasin, madje këndojnë.
Të gjithë librat
