Psalmet 63
1 Psalm i Davidit. Kur ai qe në shkretëtirën e Judës. O Perëndi, Perëndia im je ti, do të të kërkoj ethshëm. Etet për ty shpirti im; gjakon për ty mishi im në tokë të thatë dhe të fikur, pa ujë.
2 Kështu të kam soditur në shenjtërore, për të parë forcën tënde dhe lavdinë tënde.
3 Ngaqë besëmirësia jote është më e mirë se jeta, buzët e mia do të të bëjnë lëvdata.
4 Kështu do të të bekoj gjatë jetës sime, në emrin tënd do të ngre duart e mia.
5 Porsi me dhjamë dhe me yndyrë do të ngopet shpirti im dhe me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.
6 Kur të kujtoj në shtratin tim, gjatë rojave të natës përsiat për ty.
7 Se ti ke qenë një ndihmë për mua dhe nën hijen e flatrave të tua do të lëshoj britma hareje.
8 Shpirti im është lidhur me ty, mua më mbështet e djathta jote.
9 Por ata që e kërkojnë për shkatërrim jetën time, do të shkojnë në pjesët e poshtme të tokës.
10 Ata do të dorëzohen në pushtetin e shpatës, hise e çakejve do të jenë.
11 Ndërsa mbreti do të gëzohet në Perëndinë; do të lavdërohet kushdo që betohet për të, sepse do të mbyllet goja e atyre që flasin rrenë.
Të gjithë librat
