Psalmet 62
1 Për dirigjuesin. Sipas Jedutunit. Psalm i Davidit. Vetëm për Perëndinë pret në qetësi shpirti im, prej tij vjen shpëtimi im.
2 Vetëm ai është shkëmbi im dhe shpëtimi im, fortesa ime; unë nuk do të tundem më tepër.
3 Deri kur do të hakërreheni kundër një njeriu? Të gjithë ju jeni vrasës, jeni si një mur që anohet dhe si një avlli që shtyhet.
4 Vetëm që ta hedhin nga pozita e tij e lartë janë këshilluar; në gënjeshtër gjejnë kënaqësi. Me gojën e tyre bekojnë, por brenda tyre mallkojnë. (selah)
5 Vetëm për Perëndinë rri në qetësi, o shpirti im, sepse prej tij vjen shpresa ime.
6 Vetëm ai është shkëmbi im dhe shpëtimi im, fortesa ime; unë nuk do të tundem.
7 Në Perëndinë është shpëtimi im dhe lavdia ime; shkëmbi i forcës sime dhe streha ime janë në Perëndinë.
8 Kini besim në të në çdo kohë, ju o popull! Derdhni përpara tij zemrën tuaj! Perëndia është një strehë për ne. (selah)
9 Vetëm avull janë njerëzit e thjeshtë, një gënjeshtër njerëzit me pozitë; në peshore shkojnë lart, bashkërisht ata janë më të lehtë se avulli.
10 Mos kini besim te shtypja dhe te grabitja mos mbani shpresë të kotë! Kur pronat shtohen, mos ua kushtoni zemrën!
11 Një herë ka folur Perëndia, dy herë e kam dëgjuar këtë: që forca i përket Perëndisë
12 dhe që jotja, o Zot, është besëmirësia; sepse vetë ti e shpërblen njeriun sipas veprës së vet.
Të gjithë librat
