Psalmet 60
1 Për dirigjuesin. Mbi motivin shushan edut. Miktam. I Davidit, për mësim. Kur ai luftoi me Aram Naharaimin dhe me Aram Cobahun, dhe Joabi u kthye dhe goditi Edomin në Luginën e Kripës, duke lënë dymbëdhjetë mijë të vrarë. O Perëndi, na ke hedhur poshtë, na ke thyer, je zemëruar. Na mëkëmb!
2 Ke bërë të dridhet toka, e ke çarë atë. Shëro thyerjet e saj, sepse po tundet!
3 Ke bërë që populli yt të shohë gjëra të rënda, na ke dhënë të pimë verë që sjell trullosje.
4 Atyre që të kanë frikë, u ke dhënë një flamur për t'ia mbathur tek ai, larg nga goditja e harkut. (selah)
5 Me qëllim që të çlirohen të dashurit e tu, sill shpëtim me të djathtën tënde dhe na u përgjigj!
6 Perëndia ka folur në shenjtërinë e tij: "Do të gazmoj! Do ta ndaj në pjesë Shekemin dhe luginën e Sukotit do ta mat.
7 Imi është Gileadi dhe imi është Manaseu; edhe Efraimi është përkrenarja ime, dhe Juda, shkopi im i komandimit.
8 Moabi është legeni ku lahem; mbi Edomin do ta hedh sandalen time. Për mua, o Filisti, brohorit!".
9 Kush do të më çojë në një qytet të rrethuar? Kush do të më udhëheqë deri në Edom?
10 A nuk je ti, o Perëndi, që na hodhe poshtë dhe nuk del, o Perëndi, me ushtritë tona?
11 Na jep neve ndihmë ndaj kundërshtarit, se shpëtimi nga njeriu është kotësi.
12 Me Perëndinë do të bëjmë trimëri, dhe ai vetë do t'i shkelë kundërshtarët tanë.
Të gjithë librat
