Psalmet 6
1 Për dirigjuesin. Në vegla me korda. Mbi tetëshen. Psalm i Davidit. O Jahveh, mos më qorto në zemërimin tënd dhe mos më ndëshko në mllefin tënd!
2 Hirësomë, o Jahveh, sepse unë jam i ligshtë; shëromë, o Jahveh, sepse janë tmerruar kockat e mia.
3 Edhe shpirti im është tmerruar tepër; dhe ti, o Jahveh, deri kur?
4 Kthehu, o Jahveh, çliroje shpirtin tim; shpëtomë për hir të besëmirësisë sate.
5 Sepse në vdekje nuk ka kush të të përmendë; në Sheol kush do të të përlëvdojë?
6 Jam lodhur me psherëtimën time. Gjatë tërë natës e bëj të notojë shtratin tim; me lotët e mi e përmbyt dyshekun tim.
7 Syri im është tretur prej pezmit, është dobësuar për shkak të të gjithë kundërshtarëve të mi.
8 Largohuni prej meje, të gjithë ju që kryeni paudhësi, se Jahveh-u e ka dëgjuar zërin e të qarit tim.
9 Jahveh-u e ka dëgjuar përgjërimin tim; Jahveh-u lutjen time e pranon.
10 U turpërofshin e u tmerrofshin fort të gjithë armiqtë e mi! U kthefshin pas, u turpërofshin në çast!
Të gjithë librat
