Psalmet 59
1 Për dirigjuesin. Mbi motivin "Mos shkatërro". I Davidit. Miktam. Kur Sauli dërgoi njerëz dhe ata e mbikëqyrnin shtëpinë e Davidit me qëllim për ta vrarë. Liromë prej armiqve të mi, o Perëndia im; prej atyre që çohen kundër meje, më vendos lart në siguri.
2 Liromë prej atyre që kryejnë paudhësi dhe prej njerëzish gjakatarë shpëtomë.
3 Sepse, ja, kanë zënë pritë për shpirtin tim; lëshohen në sulm kundër meje të fortët, jo për shkeljen time dhe as për mëkatin tim, o Jahveh.
4 Pa asnjë paudhësi nga unë, vrapojnë dhe zënë pozicion. Ngrihu që të më takosh dhe shih!
5 Po, ti vetë, o Jahveh, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit, zgjohu për të ndëshkuar të gjitha kombet. Mos hirëso asnjë nga të pabesët e paudhë! (selah)
6 Ata kthehen në mbrëmje, angullijnë si qeni dhe i sillen rrotull qytetit.
7 Ja, vjellin me gojën e tyre; shpata ka në buzët e tyre, se thonë: "Kush po dëgjon?!".
8 Por ti, o Jahveh, do të qeshësh me ta, do t'i përqeshësh të gjitha kombet.
9 Për shkak të forcës së tij, drejt teje do të këqyr, sepse Perëndia është fortesa ime.
10 Perëndia i besëmirësisë sime do të më takojë; Perëndia do të më bëjë të shoh me ngadhënjim mbi ata që më përgjojnë.
11 Mos i vrit, se mos populli im harron! Hallakati me fuqinë tënde dhe hidhi poshtë, o Zot, mburoja jonë!
12 Prej mëkatit të gojës së tyre dhe fjalës së buzëve të tyre u kapshin, pra, në madhështinë e tyre. Edhe prej mallkimit e prej gënjeshtrës që flasin!
13 Zhduki me mllef! Zhduki, që të mos jenë më, që ta dinë se Perëndia po sundon mbi Jakobin dhe deri në skajet e tokës. (selah)
14 Dhe ata kthehen në mbrëmje, angullijnë si qeni dhe i sillen rrotull qytetit.
15 Ata enden për të gjetur ushqim; nëse nuk ngopen, vazhdojnë edhe tërë natën.
16 Por unë vetë do të këndoj për forcën tënde dhe do të lëshoj britma hareje në mëngjes për besëmirësinë tënde, sepse ke qenë një fortesë për mua dhe vend shpëtimi në ditën e ngushticës sime.
17 O Forca ime, drejt teje do të psalmoj, sepse Perëndia është fortesa ime, Perëndia i besëmirësisë sime.
Të gjithë librat
