Psalmet 55
1 Për dirigjuesin. Në vegla me korda. Maskil i Davidit. Vërja veshin, o Perëndi, lutjes sime dhe mos iu fshih përgjërimit tim!
2 Më dëgjo me vëmendje dhe përgjigjmu! Në ankimin tim nuk më zë vendi dhe nuk përmbahem dot
3 prej zërit të armikut, për shkak të shtypjes së të ligut; sepse lëshojnë mbi mua paudhësi dhe në zemërimin e tyre më mbajnë mëri.
4 Zemra më dridhet brenda meje dhe tmerret e vdekjes kanë rënë mbi mua.
5 Frikë dhe dridhmë më kaplojnë dhe më kanë mbuluar të ngjethura.
6 Dhe thashë: "Kush do të më japë pendë si të pëllumbit, që të fluturoj e të gjej prehje?
7 Ja, për të ikur, larg do të shkoja, në shkretëtirë do të rrija. (selah)
8 Do të shpejtoja te një vend strehimi për mua, nga era e furishme dhe nga furtuna".
9 Ngatërroje, o Zot, ndaje gjuhën e tyre, sepse kam parë dhunë dhe grindje në qytet.
10 Ditën dhe natën sillen rrotull tij, mbi muret e tij, dhe paudhësi e prapësi ka brenda tij.
11 Rrënime ka brenda tij, dhe nuk largohen nga sheshi i tij shtypja dhe hilja.
12 Sepse nuk është armiku ai që më poshtëron, se atëherë do të duroja; nuk është ai që më urren që ka madhëruar veten kundër meje, se atëherë do t'i fshihesha.
13 Por je ti, një njeri i barabartë me mua, shoku im i ngushtë dhe i njohuri im,
14 që bashkërisht e bënim të ëmbël këshillimin miqësor dhe në shtëpinë e Perëndisë ecnim bashkë me turmën.
15 Ardhtë me mashtrim vdekja mbi ta! Zbritshin në Sheol të gjallë! Se ka të këqija në vendin e qëndrimit të tyre dhe brenda tyre.
16 Unë vetë, drejt Perëndisë do të thërras dhe Jahveh-u do të më shpëtojë.
17 Në mbrëmje dhe në mëngjes e në mesditë do të ankohem dhe do të rënkoj, dhe ai do ta dëgjojë zërin tim.
18 Ai e ka shpenguar në paqe shpirtin tim nga lufta e ndezur kundër meje, se të shumtët kanë qenë në luftë me mua.
19 Perëndia do të dëgjojë dhe do t'i përulë – ai që rri ulur nga lashtësia – (selah) ata që për vete nuk ndryshojnë dhe nuk e kanë frikë Perëndinë.
20 Shoku im ka shtrirë duart kundër atyre që janë në paqe me të, ka përdhosur vetë besëlidhjen e tij.
21 Ishin më të lëmuara se gjalpi fjalët nga goja e tij, por lufta ishte në zemrën e tij. Ishin më të buta se vaji fjalët e tij, por ato ishin shpata të zhveshura.
22 Hidhe mbi Jahveh-un barrën tënde, dhe ai vetë do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që të lëkundet i drejti.
23 Por ti, o Perëndi, do t'i zbresësh ata në thellësinë e gropës. Njerëzit gjakatarë dhe mashtrues nuk do të arrijnë gjysmën e ditëve të tyre. Ndërsa unë do të kem besim në ty.
Të gjithë librat
