Psalmet 53
1 Për dirigjuesin. Mbi mahalat. Maskil i Davidit. Ka thënë budallai në zemrën e tij: "Nuk ka Perëndi!". Ata janë shthurur dhe kanë bërë padrejtësi të neveritshme; nuk ka asnjë që bën të mirën.
2 Perëndia prej qiejve shikon poshtë mbi bijtë e njeriut, për të parë a ka ndonjë që është i zgjuar, ndonjë që kërkon Perëndinë.
3 Çdonjëri është tërhequr pas, bashkërisht janë çoroditur; nuk ka asnjë që bën të mirën, nuk ka as edhe një.
4 A nuk kanë dijeni ata që kryejnë paudhësi, që e hanë popullin tim siç hanë bukë dhe Perëndinë nuk e thërrasin?!
5 Atje janë tmerruar jashtë mase, atje ku nuk ka pasur tmerrim, se Perëndia i ka shpërndarë eshtrat e atij që fushonte kundër teje. Ti i ke turpëruar, sepse Perëndia i ka hedhur tej.
6 Kush do të sjellë prej Sionit vepra shpëtuese për Izraelin?! Kur t'i kthejë Perëndia robërit e popullit të tij, le të ngazëllojë Jakobi, le të gëzohet Izraeli.
Të gjithë librat
