Psalmet 51
1 Për dirigjuesin. Psalm i Davidit. Kur tek ai erdhi Natani, profeti, mbasi Davidi kishte shkuar me Batshebën. Hirësomë, o Perëndi, sipas besëmirësisë sate! Sipas mbushullisë së përdëllimeve të tua fshiji shkeljet e mia!
2 Më laj krejtësisht prej paudhësisë sime dhe prej mëkatit tim më pastro!
3 Se shkeljet e mia unë i njoh dhe mëkati im është para meje vazhdimisht.
4 Kundër teje, vetëm kundër teje kam mëkatuar dhe kam bërë të keqen në sytë e tu. Kështu që ti je i drejtë kur flet, je i pastër kur gjykon.
5 Ja, në paudhësi jam lindur dhe në mëkat më ka ngjizur nëna ime.
6 Ja, ti kënaqesh me të vërtetën që është në qenien e brendshme dhe në fshehtësinë e qenies urtinë do të ma bësh të njohur.
7 Më dëlir me hisop dhe do të jem i pastër, më laj dhe do të bëhem më i bardhë se bora.
8 Më bëj të dëgjoj galdim dhe gëzim; le të ngazëllohen kockat që ke dërrmuar!
9 Fshihe fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe të gjitha paudhësitë e mia fshiji!
10 Një zemër të pastër krijo tek unë, o Perëndi, dhe një frymë të qëndrueshme përtëri brenda meje.
11 Mos më flak nga prania jote dhe Frymën tënde të Shenjtë mos e hiq nga unë.
12 Më kthe galdimin e shpëtimit tënd dhe me frymë të vullnetshme më mbështet.
13 Do t'u mësoj shkelësve rrugët e tua dhe mëkatarët do të kthehen te ti.
14 Liromë nga gjakderdhja, o Perëndi, Perëndia i shpëtimit tim; le të lëshojë britma hareje gjuha ime për drejtësinë tënde!
15 O Zot, hapi buzët e mia dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.
16 Se nuk kënaqesh me flijim, përndryshe do të ta jepja; fli shkrumbimi nuk pëlqen.
17 Flijimet e Perëndisë janë një frymë e thyer; një zemër të thyer dhe të dërrmuar, o Perëndi, ti nuk e përbuz.
18 Bëji të mirë Sionit në mirëdashjen tënde, ndërto muret e Jerusalemit!
19 Atëherë do të kënaqesh me flijime drejtësie, fli shkrumbimi dhe tërësore; atëherë do të ofrohen dema mbi altarin tënd.
Të gjithë librat
