Psalmet 50
1 Psalm i Asafit. I Fuqishmi, Perëndia, Jahveh-u, ka folur dhe ka thirrur tokën, që nga lindja e diellit deri në perëndim të tij.
2 Prej Sionit, një përsosmëri bukurie, Perëndia ka shkëlqyer.
3 Le të vijë Perëndia ynë dhe të mos heshtë! Një zjarr përpara tij përpin dhe përreth tij është shakullinë e fortë.
4 Thërret drejt qiejve përsipër dhe drejt tokës, për të gjykuar popullin e tij:
5 "Mblidhini tek unë besëmirët e mi, ata që kanë lidhur me flijim një besëlidhje me mua!".
6 Dhe qiejt tregojnë drejtësinë e tij, sepse Perëndia është vetë gjykatës. (selah)
7 "Dëgjo, o populli im, dhe do të flas; o Izrael, dhe do të dëshmoj kundër teje. Perëndia, Perëndia yt, jam unë!
8 Nuk do të të qortoj për flijimet e tua; edhe flitë e tua të shkrumbimit janë para meje vazhdimisht.
9 Nuk do të marr prej shtëpisë sate asnjë dem, as prej vathave të tua cjep,
10 sepse imja është çdo bishë e pyllit dhe bagëtitë në mijëra male.
11 E njoh çdo shpend të maleve dhe çdo gjë që lëviz në fushë, më përket.
12 Nëse do të isha i uritur, nuk do të ta thosha ty, sepse imja është bota dhe mbushullia e saj.
13 A ha vallë mish demash të fuqishëm dhe gjak cjepsh a pi?!
14 Flijoji Perëndisë një fli përlëvdimi dhe përmbushi kushtet e tua ndaj Shumë të Lartit,
15 dhe më thirr në ditën e ngushticës. Unë do të të çliroj dhe ti do të më nderosh".
16 Ndërsa të ligut Perëndia i thotë: "Çfarë të drejte ke ti që të kumtosh statutet e mia dhe të mbash besëlidhjen time në gojën tënde?
17 Se ti vetë e urren korrigjimin dhe i hedh fjalët e mia pas shpine.
18 Nëse ke parë një hajdut, atëherë kënaqesh me të dhe me ata që shkelin kurorën, bëhesh pjesë.
19 Gojën tënde ia ke dhënë së keqes dhe gjuha jote thur hile.
20 Ulesh kundër vëllait tënd dhe flet; kundër birit të nënës sate e hedh fajin.
21 Këto i ke bërë dhe unë kam heshtur; ke menduar se jam pikërisht si ti. Do të të qortoj dhe do ta parashtroj çështjen para syve të tu.
22 Vërjani mendjen kësaj, pra, ju që harroni Perëndinë, përndryshe do t'ju shqyej dhe nuk do të ketë njeri që t'ju lirojë.
23 Ai që flijon një fli përlëvdimi, më nderon, dhe atij që e rregullon rrugën e vet, do t'i shfaq shpëtimin e Perëndisë".
Të gjithë librat
