Psalmet 49
1 Për dirigjuesin. I bijve të Korahut. Psalm. Dëgjojeni këtë, të gjithë ju popujt, vërjani veshin, të gjithë ju banorë të botës,
2 qoftë njerëz të thjeshtë, qoftë njerëz me pozitë, bashkërisht të pasur dhe të varfër!
3 Goja ime do të flasë gjëra të urta dhe përsiatja e zemrës sime gjëra të mençura.
4 Do ta anoj drejt një fjale të urtë veshin tim, do ta paraqes me qeste gjëegjëzën time.
5 Përse duhet të kem frikë në ditët e këqija, kur paudhësia e atyre që nuk më shqiten, më rrethon,
6 dhe nga ata që kanë besim në pronën e tyre dhe lavdërohen në mbushullinë e pasurisë së tyre?
7 Një njeri vëllain e vet nuk mund ta shpengojë kurrsesi; nuk i jep dot Perëndisë shpërblesën e atij,
8 (Se është i shtrenjtë shpengimi i shpirtit të tyre dhe nuk ndalon kurrë.)
9 që ai të vazhdojë të jetojë përgjithnjë dhe të mos e shohë gropën.
10 Se njeriu e sheh që edhe të urtët vdesin; njësoj humbasin i marri dhe i trashi, dhe ua lënë të tjerëve pronën e tyre.
11 Brenda tyre mendojnë se shtëpitë e tyre janë përjetë, vendbanimet e tyre për breza e breza. I kanë emërtuar me emrat e vet trojet.
12 Por njeriu, në nderimin e vet, nuk e ka të gjatë; është i ngjashëm me bagëtitë që zhduken.
13 Kjo është rruga e tyre, marrëzia e tyre dhe e njerëzve pas tyre që gjejnë kënaqësi në thëniet e gojës së tyre. (selah)
14 Si dele janë caktuar për Sheolin, vdekja do t'i baritojë. Por të drejtët do të sundojnë mbi ta në mëngjes dhe trajtën e tyre Sheoli ka për ta tretur, larg prej banesave të tyre madhështore.
15 Porse Perëndia do ta shpengojë shpirtin tim nga dora e Sheolit, sepse ai do të më marrë. (selah)
16 Mos u frikëso kur dikush pasurohet, kur shtohet lavdia e shtëpisë së tij,
17 sepse në vdekjen e tij nuk do të marrë asgjë; nuk do të zbresë pas tij lavdia e tij.
18 Ndonëse shpirtin e vet e bekon gjatë jetës së tij (dhe njerëzit do të të përlëvdojnë kur i bën mirë vetes),
19 do të shkojë te brezi i etërve të tij; kurrnjëherë nuk do të shohin dritë.
20 Njeriu në nderimin e vet, por që nuk kupton, është i ngjashëm me bagëtitë që zhduken.
Të gjithë librat
