Psalmet 48
1 Këngë. Psalm i bijve të Korahut. I madh është Jahveh-u dhe për t'u lavdëruar fort në qytetin e Perëndisë tonë, në malin e tij të shenjtë.
2 I bukur në lartësi, galdimi i gjithë tokës është mali i Sionit në skajet e veriut, qyteti i Mbretit të madh.
3 Perëndia, në sarajet e qytetit, është bërë i njohur si fortesë.
4 Sepse, ja, mbretërit u takuan, përparuan së bashku.
5 Ata vetë e panë këtë, kështu që u shtangën, u tmerruan, ikën me vrap.
6 Dridhmë i kapi atje, përpëlitje si një grua që lind.
7 Me erën e lindjes ti i copëton anijet e Tarshishit.
8 Ashtu siç e kemi dëgjuar, kështu e kemi parë në qytetin e Jahveh-ut të ushtrive, në qytetin e Perëndisë tonë. Perëndia do ta bëjë të qëndrueshëm qytetin në përjetësi. (selah)
9 Kemi sjellë nëpër mend, o Perëndi, besëmirësinë tënde, në mes të tempullit tënd.
10 Siç është emri yt, o Perëndi, kështu është lëvdimi yt deri në skajet e tokës. Është plot me drejtësi e djathta jote.
11 Le të gëzohet mali i Sionit, le të ngazëllojnë bijat e Judës, për shkak të gjykimeve të tua!
12 Silluni rrotull Sionit dhe qerthullojeni, numëroni kullat e tij.
13 Kushtojini vëmendje ledhit të tij, shkoni përmes sarajeve të tij, që të mund t'ia kallëzoni brezit të ardhshëm.
14 Sepse ky është Perëndia, Perëndia ynë, përjetë e mot. Ai vetë do të na prijë përtej vdekjes.
Të gjithë librat
