Psalmet 46
1 Për dirigjuesin. I bijve të Korahut. Mbi alamot. Këngë. Perëndia është për ne strehë dhe forcë; ndihmë në ngushticë, që gjendet pa kursim.
2 Prandaj nuk do të kemi frikë, ndonëse toka mund të ndryshojë dhe ndonëse malet mund të lëkunden në zemër të deteve.
3 Uturijnë dhe shkumëzojnë ujërat e detit; dridhen malet në fryrjen e tij. (selah)
4 Është një lumë, vijat e të cilit gëzojnë qytetin e Perëndisë, vendbanimin e tejshenjtë të Shumë të Lartit.
5 Perëndia është në mes të tij, nuk do të lëkundet. Perëndia do ta ndihmojë sa të zbardhë mëngjesi.
6 Gumëzhinë kombe, u lëkundën mbretëri; ai nxori zërin e tij dhe toka u shkri.
7 Jahveh-u i ushtrive është me ne; fortesë për ne është Perëndia i Jakobit. (selah)
8 Ejani, shikoni veprat e Jahveh-ut, i cili ka sjellë shkretime mbi tokë.
9 Ai bën të reshtin luftërat deri në skajin e tokës; harkun e copëton dhe shtizën e çan; koçitë i djeg me zjarr.
10 "Qetësohuni dhe dijeni se unë jam Perëndi. Do të lartësohem ndër kombe, do të lartësohem mbi tokë".
11 Jahveh-u i ushtrive është me ne; fortesë për ne është Perëndia i Jakobit. (selah)
Të gjithë librat
