Psalmet 45
1 Për dirigjuesin. Mbi motivin shoshanim. I bijve të Korahut. Maskil. Këngë dashurie. Zemra ime ngrihet peshë me një temë të mirë; unë ia ligjëroj vargjet e mia mbretit. Gjuha ime është pena e një shkruesi të zoti.
2 Ti je më i pashmi nga bijtë e njeriut, hir është derdhur në buzët e tua. Prandaj të ka bekuar Perëndia në përjetësi.
3 Ngjishe shpatën tënde në ijë, o kreshnik, me madhështinë tënde dhe shkëlqimin tënd.
4 Dhe në shkëlqimin tënd përparo dhe kalëro për çështjen e së vërtetës dhe të përulësisë, dhe të drejtësisë; dhe le të të mësojë e djathta jote bëma të hatashme.
5 Shigjetat e tua janë të mprehta – popuj poshtë teje bien – depërtojnë në zemrën e armiqve të mbretit.
6 Froni yt, o Perëndi, është përjetë e mot. Skeptër barazie është skeptri i mbretërisë sate.
7 E ke dashur drejtësinë dhe ke urryer ligësinë; prandaj të ka vajosur Perëndia, Perëndia yt, me vaj galdimi përmbi shokët e tu.
8 Mirrë dhe aloe, dhe kasie kundërmojnë të gjitha rrobat e tua. Nga pallatet e fildishta vegla me korda të kanë gëzuar.
9 Bija mbretërish janë ndër zonjat e tua të fisme, bashkëshortja ka qëndruar në të djathtën tënde, stolisur me ar Ofiri.
10 Dëgjo, o bijë, dhe shih, dhe anoje veshin tënd: Harroje edhe popullin tënd, edhe shtëpinë e atit tënd!
11 Që kështu ta dëshirojë mbreti bukurinë tënde. Ngaqë ai është zoti yt, bjer përmbys, pra, para tij!
12 Edhe bija e Tirit do të vijë me dhuratë; ty do të të përgjërohen të pasurit e popullit.
13 Gjithë lavdi është bija e mbretit brenda; prej filigrani ari është petku i saj.
14 Në veshje qëndismash përcillet te mbreti. Virgjëreshat pas saj, shoqërueset e saj, po sillen te ti.
15 Përcillen me gëzim dhe ngazëllim; ato hyjnë në pallatin e mbretit.
16 Në vend të etërve të tu do të jenë bijtë e tu; do t'i caktosh si princa në mbarë tokën.
17 Do të bëj që të kujtohet emri yt për breza me radhë; prandaj popujt do të të përlëvdojnë përjetë e mot.
Të gjithë librat
