Psalmet 44
1 Për dirigjuesin. I bijve të Korahut. Maskil. O Perëndi, me veshët tanë e kemi dëgjuar, etërit tanë na e kanë kallëzuar veprën që bëre në ditët e tyre, në ditët e lashta.
2 Ti me dorën tënde shpronësove kombe dhe mbolle aty etërit; trajtove ashpër popuj dhe i përzure.
3 Se nuk qe me shpatën e tyre që e morën tokën në pronësi dhe krahu i tyre nuk i shpëtoi ata, por e djathta jote dhe krahu yt, dhe drita e fytyrës sate, sepse i hatërove ata.
4 Ti vetë je Mbreti im, o Perëndi; urdhëro vepra shpëtuese për Jakobin!
5 Me ty do t'i zmbrapsim kundërshtarët tanë; në emrin tënd do t'i shkelim ata që na çohen kundër.
6 Se nuk është në harkun tim që kam besim dhe shpata ime nuk do të më shpëtojë.
7 Se ti na ke shpëtuar nga kundërshtarët tanë dhe ata që na urrejnë, i ke turpëruar.
8 Në Perëndinë jemi lavdëruar gjithë ditën; dhe emrin tënd do ta përlëvdojmë përjetë. (selah)
9 Porse na ke hedhur poshtë dhe na ke çnderuar, dhe nuk del me ushtritë tona.
10 Na bën të kthehemi pas nga kundërshtari, ndërsa ata që na urrejnë, kanë marrë plaçkë për vete.
11 Na jep si dele për ushqim dhe ndër kombe na ke shpërndarë.
12 Ti e shet popullin tënd për hiçgjë dhe nuk ke përfituar gjë nga çmimi i tyre.
13 Na bën objekt poshtërimi për fqinjët tanë, përqeshje dhe shpoti për ata përreth nesh.
14 Na bën proverb ndër kombe, tundje koke ndër popuj.
15 Gjithë ditën çnderimi im është përballë meje dhe turpi i faqes sime më ka mbuluar,
16 prej zërit të poshtëruesit dhe të fyesit, prej pranisë së armikut dhe të hakmarrësit.
17 Tërë kjo ka ardhur mbi ne, por nuk të kemi harruar dhe nuk kemi vepruar rrejshëm me besëlidhjen tënde.
18 Nuk është zmbrapsur zemra jonë dhe nuk janë shmangur hapat tanë prej udhës sate,
19 por ti na ke dërrmuar në një vend çakejsh dhe na ke mbuluar me hijen e vdekjes.
20 Nëse kemi harruar emrin e Perëndisë tonë dhe i kemi shtrirë pëllëmbët tona drejt një perëndie tjetër,
21 a nuk e zbulon Perëndia këtë? Sepse ai i njeh të fshehtat e zemrës.
22 Se për shkakun tënd vritemi gjithë ditën, jemi llogaritur si dele për therje.
23 Ngrihu, përse fle, o Zot? Zgjohu, mos na hidh poshtë përgjithnjë!
24 Përse e fsheh fytyrën tënde dhe harron mjerimin tonë dhe shtypjen tonë?
25 Se është zhytur në pluhur shpirti ynë, është ngjitur përtokë barku ynë.
26 Çohu! Bëhu ndihma jonë dhe shpengona për hir të besëmirësisë sate!
Të gjithë librat
