Psalmet 42
1 Për dirigjuesin. Maskil i bijve të Korahut. Sikurse dreri rreshket për rrëketë e ujërave, kështu shpirti im rreshket për ty, o Perëndi.
2 Etet shpirti im për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë; kur do të vij e do të shfaqem në praninë e Perëndisë?!
3 Lotët e mi kanë qenë për mua buka ime ditën dhe natën ndërsa më thonë gjithë ditën: "Ku është Perëndia yt?".
4 Këto dua të kujtoj dhe t'i jap shfrim brenda meje shpirtit tim: që kaloja me turmën dhe e prija në procesion deri në shtëpinë e Perëndisë, me zë britme gëzimi dhe përlëvdimi; një morí duke kremtuar.
5 Pse dëshpërohesh, o shpirti im, dhe pse rënkon brenda meje? Shpreso te Perëndia, sepse prapë do ta përlëvdoj për veprat shpëtuese të pranisë së tij.
6 O Perëndia im, brenda meje shpirti im është i dëshpëruar; prandaj do të të kujtoj nga toka e Jordanit dhe majat e Hermonit, nga mali i Micarit.
7 Thellësia i thërret thellësisë në zhurmën e ujëvarave të tua. Të gjitha dallgët e tua dhe valët e tua mbi mua kanë kaluar.
8 Ditën Jahveh-u urdhëron besëmirësinë e tij dhe gjatë natës kënga e tij është me mua – një lutje drejt Perëndisë së jetës sime.
9 Do t'i them Perëndisë, shkrepit tim: "Përse më ke harruar? Përse shkoj duke mbajtur zi për shkak të shtypjes nga armiku?".
10 Si me dërrmim në kockat e mia më poshtërojnë kundërshtarët e mi ndërsa më thonë gjithë ditën: "Ku është Perëndia yt?".
11 Pse dëshpërohesh, o shpirti im, dhe pse rënkon brenda meje? Shpreso te Perëndia, sepse prapë do ta përlëvdoj. Ai bën vepra shpëtuese për mua, dhe është Perëndia im.
Të gjithë librat
