Psalmet 40
1 Për dirigjuesin. I Davidit. Psalm. E kam pritur me durim Jahveh-un dhe ai u përkul drejt meje, dhe e dëgjoi thirrjen time për ndihmë,
2 dhe më ngjiti lart prej gropës së ujërave buçitëse, prej baltës së llumit, dhe i bëri të qëndrojnë mbi një shkrep këmbët e mia, i bëri të vendosur hapat e mi,
3 dhe vuri në gojën time një këngë të re, një lëvdim për Perëndinë tonë. Shumë do ta shohin këtë dhe do të kenë frikë, dhe do të kenë besim në Jahveh-un.
4 Lum ai njeri që e ka vënë në Jahveh-un besimin e tij dhe që nuk është kthyer drejt krenarëve dhe drejt atyre që dredhojnë në gënjeshtër.
5 Të shumta i ke bërë ti, o Jahveh, Perëndia im, veprat e tua të mrekullueshme; të shumta edhe mendimet e tua për ne. Nuk ka asnjë që krahasohet me ty! Do të tregoja dhe do të flisja për to, por janë më të shumta nga ç'mund të numërohen.
6 Me flijim dhe blatë nuk je kënaqur; veshët m'i ke hapur. Fli shkrumbimi dhe fli mëkati nuk ke kërkuar.
7 Atëherë thashë: "Ja, po vij; në rrotullën e librit është shkruar për mua.
8 Në të bërët e vullnetit tënd, o Perëndia im, unë kënaqem dhe ligji yt është në thelbin e qenies sime".
9 Kam shpallur si lajm të mirë drejtësinë në bashkësinë e madhe; ja, buzët e mia nuk i mbaj mbyllur. O Jahveh, ti e di!
10 Drejtësinë tënde nuk e kam mbuluar në thelbin e zemrës sime. Për besnikërinë tënde dhe shpëtimin tënd kam folur, nuk e kam fshehur besëmirësinë tënde dhe besnikërinë tënde prej bashkësisë së madhe.
11 Ti, o Jahveh, nuk do t'i ndalosh përdëllimet e tua ndaj meje; besëmirësia jote dhe besnikëria jote do të më ruajnë vazhdimisht.
12 Se më kanë qarkuar të këqija të panumërta; më kanë kapluar paudhësitë e mia dhe nuk mund të shoh. Janë më shumë sesa flokët e kokës sime dhe zemra ime më ka lëshuar.
13 Prano, o Jahveh, që të më lirosh! O Jahveh, në ndihmën time nxito!
14 U turpërofshin dhe u koritshin bashkërisht ata që kërkojnë jetën time për ta hequr qafe! U zmbrapsshin dhe u çnderofshin ata që kënaqen me të keqen time!
15 U llahtarisshin si pasojë e turpit të tyre ata që thonë për mua: "Ah, ah!".
16 Galdofshin dhe u gëzofshin në ty të gjithë ata që të kërkojnë! Thënçin vazhdimisht: "U madhëroftë Jahveh-u!" ata që e duan shpëtimin tënd!
17 Por unë jam i varfër dhe nevojtar; Zoti mendoftë për mua! Ndihma ime dhe çliruesi im je ti. O Perëndia im, mos vono!
Të gjithë librat
