Psalmet 39
1 Për dirigjuesin. Për Jedutunin. Psalm i Davidit. Thashë: "Do t'i përmbaj rrugët e mia prej të mëkatuarit me gjuhën time. Do të mbaj një hundëz në gojën time për sa të jetë i ligu para meje".
2 Qeshë memec, mbajta qetësi, heshta nga të thënët e së mirës, dhe dhembja ime u acarua.
3 Zemra më ishte bërë flakë brenda meje; ndërsa ofshaja, po ndizej një zjarr. Atëherë fola me gjuhën time:
4 "Bëmë të njohur, o Jahveh, fundin tim dhe masën e ditëve të mia, sa është ajo. Dua të di sa i përkohshëm jam unë.
5 Ja, një pëllëmbë i ke bërë ditët e mia, dhe jetëgjatësinë time si asgjë para teje. Njëmend, veçse avull është çdo njeri që qëndron më këmbë. (selah)
6 Njëmend, si hije endet njeriu; njëmend, më kot gumëzhijnë. Ai grumbullon pasuri, por se kush është ai që i gëzon ai nuk e di.
7 E tani, çfarë pres, o Zot? Shpresa ime, ajo është te ti.
8 Prej të gjitha shkeljeve të mia liromë! Objekt poshtërimi të budallait mos më bëj!
9 Qeshë memec, nuk e hapja gojën, sepse ti vetë e ke bërë këtë.
10 Largo prej meje plagën tënde! Prej goditjes së dorës sate unë kam mbaruar.
11 Me qortime e ndëshkon njeriun për paudhësi dhe e bren si tenja çfarë është e dëshirueshme për të. Njëmend, avull është çdo njeri! (selah)
12 Dëgjoje lutjen time, o Jahveh; thirrjes sime për ndihmë vërja veshin; ndaj lotëve të mi mos u bëj shurdh! Se unë jam ardhës në lidhje me ty, jovendës si të gjithë etërit e mi.
13 Hiqe shikimin tënd prej meje, që të mund të buzëqesh, përpara se të shkoj e të mos jem më".
Të gjithë librat
