Psalmet 38
1 Psalm i Davidit. Për të kujtuar. O Jahveh, mos më qorto në tërbimin tënd dhe në mllefin tënd mos më ndëshko!
2 Se shigjetat e tua kanë depërtuar në mua dhe ka mëshuar mbi mua dora jote.
3 Nuk ka shëndet në mishin tim për shkak të zemëratës sate; nuk ka paqe në kockat e mia për shkak të mëkatit tim.
4 Se paudhësitë e mia e tejkalojnë kokën time; si një barrë e rëndë ato janë shumë të rënda për mua.
5 Qelben dhe kalben vurratat e mia për shkak të marrëzisë sime.
6 Jam gërmuqur, jam kërrusur krejt; gjithë ditën duke mbajtur zi shkoj e vij.
7 Se ijët e mia ziejnë me zjarrmi dhe nuk ka shëndet në mishin tim.
8 Jam mpirë dhe jam dërrmuar krejtësisht, vrumbullit prej hungërimës së zemrës sime.
9 O Zot, para teje është gjithë dëshirimi im, dhe psherëtima ime nuk është e fshehur prej teje.
10 Zemra më rreh fort, po më lë forca ime; dhe drita e syve të mi, edhe ajo po më venitet.
11 Ata që më duan dhe shokët e mi, përballë plagës sime qëndrojnë të stepur; edhe të afërmit e mi kanë qëndruar larg.
12 Ndërsa ata që kërkojnë jetën time, ngrenë kurth, dhe ata që kërkojnë të keqen time, flasin gjëra rrënuese, dhe hile gjithë ditën pëshpëritin.
13 E unë, si një i shurdhër, nuk dëgjoj, dhe jam si memec që nuk e hap gojën e tij.
14 Po, jam si një njeri që nuk po dëgjon dhe që nuk ka argumente në gojën e tij.
15 Se te ti, o Jahveh, shpresoj; ti do të përgjigjesh, o Zot, Perëndia im.
16 Se kam thënë: "Mos e dhëntë që të gëzohen kundër meje ata që, kur më lëkundet këmba, madhërojnë veten kundër meje!".
17 Se unë jam gati për t'u mërkëmbur dhe dhembja ime është para meje vazhdimisht.
18 Se paudhësinë time e rrëfej; jam i shqetësuar për shkak të mëkatit tim.
19 Por armiqtë e mi janë të gjallë dhe të shumtë; shumë janë edhe ata që më urrejnë padrejtësisht.
20 Ndërsa ata që ma shpërblejnë me të keqe në këmbim të së mirës, më akuzojnë ngaqë unë ndjek të mirën.
21 Mos më braktis, o Jahveh, Perëndia im! Mos qëndro larg nga unë!
22 Nxito në ndihmën time, o Zot, shpëtimi im!
Të gjithë librat
