Psalmet 37
1 I Davidit. Mos u nxeh për shkak të keqbërësve; mos ji ziliqar ndaj atyre që bëjnë padrejtësi!
2 Sepse si bari shpejt do të thahen dhe si barishtja e gjelbër do të vyshken.
3 Ki besim në Jahveh-un dhe bëj të mirën, bano tokën dhe ushqe besnikërinë.
4 Gjeje edhe kënaqësinë në Jahveh-un, dhe ai do të të japë ty çfarë kërkon zemra jote.
5 Besoja Jahveh-ut rrugën tënde dhe ki besim tek ai; dhe vetë ai do të veprojë.
6 Atëherë do ta nxjerrë si drita drejtësinë tënde dhe të drejtën tënde si mesdita.
7 Hesht para Jahveh-ut dhe prit ethshëm për të! Mos u nxeh për shkak të atij që e bën të mbarë rrugën e tij, për shkak të njeriut që bën dredhira!
8 Përmbahu nga zemërimi dhe lëre mllefin! Mos u nxeh; të çon vetëm për të bërë të keqen.
9 Se keqbërësit do të zhbihen, por ata që shpresojnë te Jahveh-u, vetë ata do ta trashëgojnë tokën.
10 Ende dhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më. Atëherë do të vështrosh me vëmendje nga vendi i tij dhe ai nuk do të jetë atje.
11 Por të përvuajturit do të trashëgojnë tokën dhe do të gjejnë kënaqësi në paqe të bollshme.
12 I ligu thur intriga ndaj të drejtit, kërcëllin dhëmbët kundër tij.
13 Zoti do të qeshë me të, sepse sheh se do të vijë dita e tij.
14 Shpatën kanë zhveshur të ligjtë dhe kanë tendosur harkun e tyre, për të rrëzuar të varfrin dhe nevojtarin, për të therur ata që e kanë rrugën të drejtë.
15 Shpata e tyre do të hyjë në zemrën e tyre dhe harqet e tyre do të thyhen.
16 Më mirë e pakta e të drejtit sesa bollëku i shumë të ligjve.
17 Sepse krahët e të ligjve do të thyhen, ndërsa të drejtët i mbështet Jahveh-u.
18 Jahveh-u i njeh ditët e të ndershmëve dhe trashëgimia e tyre do të jetë përjetë.
19 Nuk do të turpërohen në kohë të keqe dhe në ditët e urisë do të ngopen.
20 Se të ligjtë do të humbin; edhe armiqtë e Jahveh-ut si zbukurimi i livadheve mbarojnë; në tym mbarojnë.
21 I ligu merr hua dhe nuk e kthen, ndërsa i drejti ka hir dhe jep.
22 Se të bekuarit nga Zoti do të trashëgojnë tokën, ndërsa të mallkuarit nga ai do të zhbihen.
23 Prej Jahveh-ut bëhen të qëndrueshëm hapat e njeriut dhe kënaqet me rrugën e tij.
24 Kur bie, nuk do të rrëzohet përdhe, sepse Jahveh-u e mbështet me dorën e tij.
25 Kam qenë i ri dhe tashmë jam plakur, por nuk e kam parë një të drejtë të braktisur dhe pasardhjen e tij duke lypur bukë.
26 Gjithë ditën ai ka hir e jep hua dhe pasardhja e tij është për bekim.
27 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, e atëherë bano përjetë!
28 Se Jahveh-u e do të drejtën dhe nuk do t'i braktisë besëmirët e tij. Përjetë do të mbrohen ata, ndërsa pasardhja e të ligjve do të zhbihet.
29 Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.
30 Goja e të drejtit shpreh urti dhe gjuha e tij flet të drejtën.
31 Ligji i Perëndisë së tij është në zemrën e tij; nuk do të shkasë asnjë nga hapat e tij.
32 I ligu e vëzhgon të drejtin dhe kërkon që ta vrasë.
33 Jahveh-u nuk do ta braktisë të drejtin në dorën e tij dhe nuk do të lejojë të dënohet kur ai të gjykohet.
34 Shpreso te Jahveh-u dhe mbaje rrugën e tij, dhe ai do të të lartësojë që të trashëgosh tokën. Kur të zhbihen të ligjtë, ti do ta shohësh.
35 Kam parë një të lig që ishte mizor dhe po hapej si pemë vendase e gjelbër.
36 Pastaj kaloi dhe, ja, nuk ishte më; dhe unë e kërkova, por nuk u gjend më.
37 Këqyr të ndershmin dhe shih të drejtin, sepse ka një pasardhje për njeriun e paqes.
38 Por shkelësit do të shfarosen krejt; pasardhja e të ligjve do të zhbihet.
39 Ndërsa shpëtimi i të drejtëve vjen prej Jahveh-ut; ai është vendmbrojtja e tyre në kohë ngushtice.
40 Dhe Jahveh-u i ndihmon dhe i çliron; i çliron nga të ligjtë dhe i shpëton, sepse janë strehuar në të.
Të gjithë librat
