Psalmet 35
1 I Davidit. Kundërviju, o Jahveh, kundërvënësve të mi, luftoji ata që më luftojnë!
2 Rrok mburojë e shqyt dhe çohu të më ndihmosh.
3 Nxirr edhe shtizë dhe heshtë që të takosh ata që më ndjekin. Thuaji shpirtit tim: "Shpëtimi yt jam unë!".
4 U turpërofshin dhe u çnderofshin ata që kërkojnë jetën time! U zmbrapsshin dhe u koritshin ata që sajojnë të keqen kundër meje!
5 Qofshin si byku para erës dhe engjëlli i Jahveh-ut qoftë duke i marrë para!
6 Qoftë rruga e tyre errësirë e rrëshqitje dhe engjëlli i Jahveh-ut duke i ndjekur nga pas!
7 Sepse pa shkak kanë fshehur për mua rrjetën e tyre, pa shkak kanë gërmuar gropën për shpirtin tim.
8 I ardhtë atij një shkatërrim që nuk e mendon dhe rrjeta e vet që ka fshehur, e kaptë! Rëntë në shkatërrim, mu në të!
9 Dhe shpirti im do të ngazëllojë në Jahveh-un, do të galdojë në shpëtimin e tij.
10 Tërë kockat e mia do të thonë: "O Jahveh, kush është si ti, që e liron të varfrin prej më të fortit se ai dhe të varfrin e nevojtarin prej atij që e zhvat?!".
11 Çohen dëshmitarë të dhunshëm, për gjëra që nuk i di, më pyesin.
12 Më shpërblejnë me të keqe në këmbim të së mirës; ka zi për shpirtin tim.
13 Ndërsa unë, kur ata ishin sëmurë, bëra si veshjen time një grathore, e pikëllova me agjërim shpirtin tim; dhe lutja ime kthehej në gjirin tim.
14 Si të ishte për një shok, si të ishte për vëllain tim shkoja e vija, si një që vajton të ëmën jam kërrusur duke mbajtur zi.
15 Por, në mërkëmbjen time, u gëzuan dhe u mblodhën bashkë; u mblodhën kundër meje sulmues dhe nuk e dija. Më shqyen dhe nuk e mbyllën gojën.
16 Me profanë përqeshës për një copë bukë kërcëlluan dhëmbët kundër meje.
17 O Zot, deri kur do të rrish duke parë? Ripërtërije jetën time prej shkatërrimeve të tyre, jetën time të vetme prej pjellës së luanëve!
18 Do të të përlëvdoj në bashkësinë e madhe, në mes të një populli të panumërt do të të lavdëroj.
19 Mos u gëzofshin kundër meje ata që janë padrejtësisht armiqtë e mi! Ata që më urrejnë pa shkak, mos e shkelshin syrin!
20 Sepse nuk flasin për paqe, por kundër të qetëve të vendit sajojnë fjalë hileqare.
21 Madje e kanë hapur çorap gojën e tyre kundër meje; kanë thënë: "Ah, ah, e panë sytë tanë!".
22 Ti e ke parë këtë, o Jahveh, mos rri në heshtje! O Zot, mos qëndro larg nga unë!
23 Ngrihu dhe zgjohu për të drejtën time, o Perëndia im dhe Zoti im, për çështjen time!
24 Përligjmë sipas drejtësisë sate, o Jahveh, Perëndia im, dhe mos lejo të gëzohen kundër meje!
25 Të mos thonë në zemrën e tyre: "Ah, sipas dëshirës sonë!". Të mos thonë: "E gllabëruam!".
26 U turpërofshin dhe u koritshin bashkërisht ata që i gëzohen së keqes sime! U veshçin me turp e çnderim ata që madhërojnë veten kundër meje!
27 Lëshofshin britma hareje dhe u gëzofshin ata që e kanë për zemër drejtësinë time dhe thënçin vazhdimisht: "U madhëroftë Jahveh-u që e ka për zemër paqen e skllavit të tij!".
28 Ndërsa gjuha ime do të shprehë drejtësinë tënde; gjithë ditën lëvdimin tënd.
Të gjithë librat
