Psalmet 34
1 I Davidit. Kur ai u shtir si i marrë përpara Abimelekut dhe ky e dëboi e ai u largua. Do ta bekoj Jahveh-un në çdo kohë; vazhdimisht do të jetë lëvdimi i tij në gojën time.
2 Në Jahveh-un do të lavdërohet shpirti im; le të dëgjojnë të përvuajturit dhe le të gëzohen.
3 Madhërojeni Jahveh-un bashkë me mua dhe le ta lartësojmë emrin e tij së bashku.
4 E kërkova Jahveh-un dhe m'u përgjigj, dhe prej të gjitha tmerreve të mia më liroi.
5 Ata këqyrën drejt tij dhe rrezatuan, dhe fytyrat e tyre nuk do të koriten.
6 Ky i mjerë thirri dhe Jahveh-u dëgjoi, dhe prej të gjitha ngushticave të tij e shpëtoi.
7 Engjëlli i Jahveh-ut fushon përreth atyre që e kanë frikë dhe i çliron.
8 Shijoni dhe shihni që i mirë është Jahveh-u. Lum ai njeri që është strehuar në të!
9 Kini frikë Jahveh-un, o shenjtorët e tij, se për asgjë nuk kanë nevojë ata që e kanë frikë.
10 Luanët e rinj nuk kanë ushqim dhe kanë uri, por atyre që kërkojnë Jahveh-un, nuk u mungon asnjë e mirë.
11 Ejani, o bij, më dëgjoni mua, frikën e Jahveh-ut do t'ju mësoj.
12 Kush është ai njeri i dëshiruar për jetën, i cili do që të ketë ditë të shumta për të parë të mirën?
13 Ruaje gjuhën tënde nga e keqja dhe buzët e tua nga të folurit me hile!
14 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, kërko paqen dhe ndiqe atë!
15 Sytë e Jahveh-ut janë drejt të drejtëve dhe veshët e tij drejt thirrjes së tyre për ndihmë.
16 Fytyra e Jahveh-ut është kundër atyre që bëjnë të keqen, për të zhbirë nga toka kujtimin e tyre.
17 Të drejtët këlthasin dhe Jahveh-u i dëgjon, dhe nga të gjitha ngushticat e tyre i liron.
18 Jahveh-u është afër atyre që janë të thyer në zemër dhe të dërrmuarit në frymë i shpëton.
19 Të shumta janë të këqijat që pëson i drejti, por prej të gjitha atyre Jahveh-u e liron.
20 Ai i mbron tërë kockat e tij; as edhe një prej tyre nuk thyhet.
21 Të ligun do ta vrasë e keqja, dhe ata që urrejnë të drejtin, do të mbahen fajtorë.
22 Jahveh-u shpengon shpirtin e skllevërve të tij, dhe nuk do të mbahet fajtor asnjë nga ata që strehohen në të.
Të gjithë librat
