Psalmet 33
1 Lëshoni britma hareje në Jahveh-un, o të drejtë! Për të drejtët është me vend lëvdimi.
2 Përlëvdoni Jahveh-un me qeste, në lahutë dhjetëshe luani muzikë për të!
3 Këndojini atij një këngë të re! Mjeshtërisht bjeruni veglave me korda shoqëruar me zë buçitës!
4 Sepse e drejtë është fjala e Jahveh-ut dhe gjithë vepra e tij është bërë me besnikëri.
5 Ai e do drejtësinë dhe të drejtën; me besëmirësinë e Jahveh-ut është e mbushur toka.
6 Me fjalën e Jahveh-ut janë bërë qiejt, dhe me frymën e gojës së tij gjithë ushtria e tyre.
7 Ai i mbledh si pirg ujërat e detit, i vë ndër depo thellësitë.
8 Le të ketë frikë nga Jahveh-u e gjithë toka; nga ai le të kenë drojë të gjithë banorët e botës.
9 Sepse vetë ai foli dhe ajo u bë; vetë ai urdhëroi dhe ajo qëndroi.
10 Jahveh-u e zhbën këshillën e kombeve, i prish mendimet e popujve.
11 Këshilla e Jahveh-ut qëndron përjetë; mendimet e zemrës së tij për breza e breza.
12 Lum kombi Perëndia i të cilit është Jahveh-u, populli që ai e ka zgjedhur si trashëgimi të tij.
13 Prej qiejve këqyr Jahveh-u, i sheh të gjithë bijtë e njeriut.
14 Prej vendit të banimit të tij vëzhgon të gjithë banorët e tokës,
15 ai që i jep trajtë zemrës së gjithë atyre, ai që i kupton të gjitha veprat e tyre.
16 Nuk ka mbret që shpëton falë ushtrisë së madhe; trimi nuk lirohet falë fuqisë së madhe.
17 Një gjë e rreme është kali për shpëtim dhe me forcën e tij të madhe nuk mund të çlirojë.
18 Ja, syri i Jahveh-ut është drejt atyre që e kanë frikë, drejt atyre që shpresojnë te besëmirësia e tij,
19 për ta liruar nga vdekja shpirtin e tyre dhe për t'i mbajtur gjallë në kohën e urisë.
20 Shpirti ynë pret për Jahveh-un; ndihma jonë dhe mburoja jonë është ai.
21 Se në të do të gëzohet zemra jonë, sepse në emrin e tij të shenjtë kemi pasur besim.
22 Qoftë besëmirësia jote mbi ne, o Jahveh, sikurse kemi shpresuar te ti!
Të gjithë librat
