Psalmet 32
1 I Davidit. Maskil. Lum ai të cilit i është falur shkelja, të cilit i është mbuluar mëkati!
2 Lum njeriu të cilit Jahveh-u nuk do t'ia llogaritë paudhësinë dhe në frymën e të cilit nuk ka mashtrim!
3 Kur heshta për mëkatin tim, kockat e mia u tretën në çirrmën time gjithë ditën.
4 Se ditë e natë rëndonte mbi mua dora jote; gjallëria ime u kthye në përvëli vere. (selah)
5 Mëkatin tim ta dëfteva dhe paudhësinë time nuk e mbulova. Thashë: "Do t'ia rrëfej shkeljet e mia Jahveh-ut"; dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim. (selah)
6 Për këtë, çdo besëmirë duhet të lutet drejt teje në kohën që mund të gjendesh. Sigurisht, në përmbytje ujërash të shumta ato nuk do të mbërrijnë tek ai.
7 Ti je vendstrehimi im; prej ngushtice më ruan, me brohori çlirimi më rrethon. (selah)
8 Do të të bëj të zgjuar dhe do të të udhëzoj në rrugën që duhet të shkosh; do të të këshilloj, syri im do të jetë mbi ty.
9 Mos u bëni si kali a si mushka, që nuk kanë mend; kapistër e fre janë pajimet e tyre për t'i përmbajtur, përndryshe nuk afrohen te ti.
10 Të shumta janë dhembjet e të ligut, por atë që ka besim në Jahveh-un e rrethon besëmirësia.
11 Gëzohuni në Jahveh-un dhe ngazëlloni, o të drejtë, dhe lëshoni britma hareje të gjithë ju, o të drejtë nga zemra!
Të gjithë librat
