Psalmet 31
1 Për dirigjuesin. Psalm i Davidit. Në ty, o Jahveh, jam strehuar. Mos lejo të turpërohem kurrë! Në drejtësinë tënde çliromë!
2 Anoje drejt meje veshin tënd. Shpejt, liromë! Ji për mua një shkëmb për mbrojtje, një shtëpi si kështjellat për të më shpëtuar!
3 Se shkrepi im dhe kështjella ime je ti, dhe për hir të emrit tënd më udhëheq dhe më prin.
4 Ti do të më nxjerrësh nga rrjeta që kanë fshehur për mua, sepse ti je vendmbrojtja ime.
5 Në dorën tënde e besoj frymën time. Ti më ke shpenguar mua, o Jahveh, Perëndi besnik.
6 I urrej ata që e mbajnë shikimin nga idhujt e kotë, ndërsa unë vetë kam besim te Jahveh-u.
7 Do të ngazëlloj dhe do të gëzohem në besëmirësinë tënde, ngaqë e ke parë mjerimin tim; i ke njohur ankthet e shpirtit tim,
8 dhe nuk më ke dorëzuar në dorë të armikut; i ke vendosur këmbët e mia në vend të gjerë.
9 Hirësomë, o Jahveh, sepse jam ngushtë! Është tretur nga pezmi syri im, shpirti im dhe trupi im.
10 Se jeta ime po mbaron në pikëllim dhe vitet e mia në psherëtima. Nga paudhësia ime pengohet forca ime, dhe kockat e mia po treten.
11 Për shkak të të gjithë kundërshtarëve të mi jam bërë objekt poshtërimi, veçanërisht për fqinjët e mi, dhe tmerrim për të njohurit e mi. Ata që më shohin në rrugë, ia mbathin prej meje.
12 Jam harruar prej zemrës së njerëzve si një i vdekur; jam bërë si një enë e thyer.
13 Se unë kam dëgjuar pëshpëritjen e të shumtëve, lemeri në çdo anë, ndërsa këshillohen bashkë kundër meje, thurin intrigë, shpirtin për të ma marrë.
14 Por unë vetë te ti kam besim, o Jahveh; kam thënë: "Perëndia im je ti!".
15 Në dorën tënde janë kohët e mia, liromë nga dora e armiqve të mi dhe prej atyre që më ndjekin.
16 Bëj të shndritë fytyra jote mbi skllavin tënd, shpëtomë në besëmirësinë tënde.
17 O Jahveh, mos më lër të turpërohem, se unë të thërras ty. U turpërofshin të ligjtë, qofshin të heshtur në Sheol!
18 Qofshin memece buzët rrenacake, ato që flasin kundër të drejtit pa fre, me fodullëk dhe me përçmim!
19 Sa e madhe është mirësia jote, që ti ke vënë mënjanë për ata që të kanë frikë, që ke kryer për ata që strehohen në ty, përballë bijve të njeriut!
20 Ti i fsheh në vendin e fshehtë të pranisë sate prej marifeteve të njeriut; i struk në shatorre prej rragatjes së gjuhëve.
21 Bekuar qoftë Jahveh-u, sepse e shfaqi mahnitshëm besëmirësinë e tij ndaj meje në një qytet të rrethuar.
22 Ndërsa unë në alarmimin tim thashë: "Jam qëruar nga sytë e tu!"; prapëseprapë ti e ke dëgjuar zërin e përgjërimeve të mia kur thirra për ndihmë drejt teje.
23 Duajeni Jahveh-un, të gjithë ju besëmirët e tij! Besnikët Jahveh-u i ruan, por e shpaguan plotësisht atë që sillet me fodullëk.
24 Jini të fortë dhe le të marrë forcë zemra juaj, të gjithë ju që shpresoni te Jahveh-u!
Të gjithë librat
