Psalmet 30
1 Psalm. Këngë e kushtimit të shtëpisë. I Davidit. Do të të lartësoj, o Jahveh, sepse më nxore lart dhe nuk i le armiqtë e mi të gëzohen kundër meje.
2 O Jahveh, Perëndia im, kam thirrur për ndihmë drejt teje dhe më ke shëruar.
3 O Jahveh, ti e ke ngjitur lart prej Sheolit shpirtin tim, më ke mbajtur gjallë prej mesit të atyre që zbresin në gropë.
4 Psalmoni për Jahveh-un, o besëmirët e tij, dhe bëni përlëvdim në kujtimin e emrit të tij të shenjtë.
5 Sepse një çast zgjat zemërimi i tij, gjithë jetën mirëdashja e tij. Në mbrëmje përbun qarja, por në mëngjes vjen brohoritja.
6 Dhe unë vetë kam thënë në rehatinë time: "Nuk do të tundem kurrë!".
7 O Jahveh, në mirëdashjen tënde e bëre të qëndrojë fort malin tim. Ti fshehe fytyrën tënde, unë mbeta i tmerruar.
8 Drejt teje, o Jahveh, thërrisja dhe drejt Zotit përgjërohesha:
9 "Çfarë përfitimi do të kishe nga gjaku im, nga zbritja ime në gropë? A do të të përlëvdojë pluhuri? A do ta shpallë besnikërinë tënde?
10 Dëgjo, o Jahveh, dhe hirësomë! O Jahveh, ji ndihmëtari im!".
11 E ke kthyer vajtimin tim në një valle për mua, ma ke zgjidhur grathoren dhe më ke ngjeshur me gëzim,
12 në mënyrë që të psalmojë për ty nderi im dhe të mos heshtë. O Jahveh, Perëndia im, do të të përlëvdoj përjetë.
Të gjithë librat
