Psalmet 3
1 Psalm i Davidit, kur ai iku nga prania e Absalomit, birit të tij. O Jahveh, sa shumë janë kundërshtarët e mi! Shumë po çohen kundër meje.
2 Shumë po thonë për shpirtin tim: "Nuk ka shpëtim për të te Perëndia". (selah)
3 Por ti, o Jahveh, je mburojë rreth meje, lavdia ime dhe ai që kokën ma ngre.
4 Me zërin tim i thërrisja Jahveh-ut dhe ai m'u përgjigj nga mali i tij i shenjtë. (selah)
5 Unë u shtriva dhe fjeta; u zgjova, sepse Jahveh-u më mbështet.
6 Nuk frikësohem nga dhjetëra mijëra njerëz që përreth janë vendosur kundër meje.
7 Çohu, o Jahveh! Shpëtomë, o Perëndia im! Se i ke goditur në nofull të gjithë armiqtë e mi; dhëmbët e të ligjve i ke thyer.
8 Jahveh-ut i përket shpëtimi; mbi popullin tënd qoftë bekimi yt! (selah)
Të gjithë librat
