Psalmet 29
1 Psalm i Davidit. Jepini Jahveh-ut, o bij të Perëndisë, jepini Jahveh-ut lavdi dhe forcë!
2 Jepini Jahveh-ut lavdinë që i takon emrit të tij! Bini përmbys para Jahveh-ut në stoli shenjtërie!
3 Zëri i Jahveh-ut është mbi ujërat. Perëndia i lavdisë gjëmon. Jahveh-u është mbi ujëra të shumta.
4 Zëri i Jahveh-ut është i fuqishëm. Zëri i Jahveh-ut është i shkëlqyeshëm.
5 Zëri i Jahveh-ut thyen cedra, madje Jahveh-u copëton cedrat e Libanit.
6 Ai edhe i bën të hovin porsi një viç, Libanin dhe Sirionin porsi i vogli i buajve të egër.
7 Zëri i Jahveh-ut lëshon flakë zjarri.
8 Zëri i Jahveh-ut bën të dridhet shkretëtira; Jahveh-u bën të dridhet shkretëtira e Kadeshit.
9 Zëri i Jahveh-ut bën të shtërzojnë drenushat dhe i bën të zhveshura pyjet, dhe në tempullin e tij gjithçka e tij thotë: "Lavdi!".
10 Jahveh-u rrinte ulur në fron përmbi përmbytjen; po, Jahveh-u rri ulur si Mbret përjetë.
11 Jahveh-u do t'i japë forcë popullit të tij. Jahveh-u do ta bekojë popullin e tij me paqe.
Të gjithë librat
