Psalmet 28
1 I Davidit. Drejt teje, o Jahveh, thërras. O Shkëmbi im, mos u bëj shurdh ndaj meje! Në rast se hesht ndaj meje, atëherë do të ngjasoj me ata që zbresin në gropë.
2 Dëgjoje zërin e përgjërimeve të mia kur thërras për ndihmë drejt teje, kur ngre duart drejt shenjtërores sate të shenjtë.
3 Mos më hiq zvarrë me të ligjtë dhe me ata që kryejnë paudhësi, të cilët flasin për paqe me të afërmit e tyre, por e keqja gjendet në zemrat e tyre.
4 Jepu atyre sipas të vepruarit të tyre dhe sipas ligësisë së veprimeve të tyre. Sipas veprës së duarve të tyre jepu atyre. Atë që meritojnë, ktheja atyre.
5 Sepse nuk u kushtojnë vëmendje mënyrave të të vepruarit të Jahveh-ut dhe veprës së duarve të tij. Ai do t'i rrënojë dhe nuk do t'i ndërtojë.
6 Bekuar qoftë Jahveh-u, sepse ka dëgjuar zërin e përgjërimeve të mia!
7 Jahveh-u është forca ime dhe mburoja ime; në të ka pasur besim zemra ime dhe jam ndihmuar. Prandaj gazmon zemra ime dhe me këngën time do ta përlëvdoj.
8 Jahveh-u është forca e tyre, dhe ai vetë vendmbrojtja shpëtuese e të vajosurit të tij.
9 Shpëto popullin tënd dhe beko trashëgiminë tënde, si dhe baritoji e ngriji lart deri në përjetësi!
Të gjithë librat
