Psalmet 27
1 I Davidit. Jahveh-u është drita ime dhe shpëtimi im, nga kush do të kem frikë? Jahveh-u është vendmbrojtja e jetës sime, nga kush do të trembem?
2 Kur u afruan kundër meje keqbërësit për të ngrënë mishin tim, kundërshtarët e mi dhe armiqtë e mi përkundër meje, ata vetë u penguan dhe ranë.
3 Nëse një ushtri do të fushojë kundër meje, zemra ime nuk do të ketë frikë. Nëse do të plasë një luftë kundër meje, edhe në këtë rast unë do të kem besim.
4 Një gjë lypa nga Jahveh-u, atë gjë kërkoj: që të banoj në shtëpinë e Jahveh-ut të gjitha ditët e jetës sime, për të soditur bukurinë e Jahveh-ut dhe për të shqyrtuar në tempullin e tij.
5 Sepse në ditën e keqe do të më strukë në shatorren e tij, do të më fshehë në vendin e fshehtë të çadrës së tij, do të më ngrejë lart mbi një shkëmb.
6 Dhe tani koka ime do të ngrihet mbi armiqtë e mi përreth meje dhe do të flijoj në çadrën e tij flijime me zë buçitës. Do të këndoj e do të psalmoj për Jahveh-un!
7 Dëgjo, o Jahveh, zërin tim kur thërras dhe hirësomë e përgjigjmu!
8 Zemra ime thotë nga ana jote: "Kërkoni fytyrën time!". Fytyrën tënde, o Jahveh, kërkoj.
9 Mos e fshih fytyrën tënde prej meje, mos e kthe mbrapsht me zemërim skllavin tënd! Ndihma ime ti ke qenë. Mos më lër në harresë dhe mos më braktis, o Perëndia i shpëtimit tim!
10 Se ati im dhe nëna ime më kanë braktisur, por Jahveh-u do të më marrë pranë.
11 Mësomë, o Jahveh, rrugën tënde dhe udhëhiqmë në një shteg të sheshtë, për shkak të atyre që më përgjojnë.
12 Mos më dorëzo në dëshirën e kundërshtarëve të mi, sepse janë çuar kundër meje dëshmitarë të rremë dhe një që shfren dhunë.
13 Po sikur të mos kisha besuar se do të shoh mirësinë e Jahveh-ut në tokën e të gjallëve?!
14 Shpreso te Jahveh-u! Ji i fortë dhe le të marrë forcë zemra jote! Po, shpreso te Jahveh-u!
Të gjithë librat
