Psalmet 26
1 I Davidit. Më jep të drejtë, o Jahveh, sepse unë kam ecur në ndershmërinë time dhe në Jahveh-un kam pasur besim: nuk do të luhatem.
2 Më provo, o Jahveh, dhe më sprovo! Kaloji në provë veshkat dhe zemrën time!
3 Se besëmirësia jote është para syve të mi dhe unë eci në besnikërinë tënde.
4 Nuk jam ulur me njerëz të pavlerë dhe me ata që shtiren, nuk bëhem.
5 E urrej kuvendin e keqbërësve dhe me të ligjtë nuk ulem.
6 Do t'i laj në pafajësi duart e mia, që kështu t'i sillem rrotull altarit tënd, o Jahveh,
7 me qëllim që të shpall me zë përlëvdues dhe të kumtoj të gjitha veprat e tua të mrekullueshme.
8 O Jahveh, e dua banesën e shtëpisë sate dhe vendin e banimit të lavdisë sate.
9 Mos e përfshi shpirtin tim me mëkatarë dhe as jetën time me njerëz gjakatarë,
10 të cilët në duart e tyre kanë intrigë dhe e djathta e tyre është plot mitë.
11 Por unë do të ec në ndershmërinë time. Shpengomë dhe hirësomë!
12 Këmba ime qëndron në vend të sheshtë; ndër tubime do ta bekoj Jahveh-un.
Të gjithë librat
