Psalmet 25
1 I Davidit. Drejt teje, o Jahveh, e ngre shpirtin tim.
2 O Perëndia im, në ty kam besim; mos lejo të turpërohem. Mos lejo të shenden kundër meje armiqtë e mi!
3 Po, të gjithë ata që presin për ty, nuk do të turpërohen; do të turpërohen ata që sillen pabesisht pa arsye.
4 Rrugët e tua, o Jahveh, më bëj t'i njoh; udhët e tua m'i mëso.
5 Udhëhiqmë në të vërtetën tënde dhe mësomë, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; për ty pres gjithë ditën.
6 Kujto përdëllimet e tua, o Jahveh, dhe veprat e besëmirësisë sate, sepse ato janë nga lashtësia.
7 Mëkatet e rinisë sime dhe shkeljet e mia të mos i kujtosh. Sipas besëmirësisë sate më kujto ti; për hir të mirësisë sate, o Jahveh.
8 I mirë dhe i drejtë është Jahveh-u; për këtë arsye i udhëzon mëkatarët në rrugën e tij.
9 I udhëheqtë të përvuajturit në të drejtën dhe u mësoftë të përvuajturve rrugën e tij!
10 Të gjitha udhët e Jahveh-ut janë besëmirësi dhe besnikëri për ata që ruajnë besëlidhjen e tij dhe dëshmitë e tij.
11 Për hir të emrit tënd, o Jahveh, fale paudhësinë time, se ajo është e madhe.
12 Kush është ai njeri që ka frikë nga Jahveh-u? Ai do ta udhëzojë në rrugën që duhet të zgjedhë.
13 Shpirti i tij në të mira do të banojë, dhe pasardhja e tij tokën do ta trashëgojë.
14 Këshillimi miqësor i Jahveh-ut është për ata që e kanë frikë, dhe besëlidhja e tij është që t'u bëhet e njohur atyre.
15 Sytë i kam vazhdimisht drejt Jahveh-ut, sepse ai do t'i nxjerrë prej rrjetës këmbët e mia.
16 Kthehu drejt meje dhe hirësomë, sepse i vetëm dhe i mjerë jam unë.
17 Ankthet e zemrës sime janë shtuar, prej shtrëngesave të mia nxirrmë!
18 Shih mjerimin tim dhe telashin tim, dhe fali të gjitha mëkatet e mia.
19 Shih armiqtë e mi, sepse janë shumë dhe më urrejnë me një urrejtje të dhunshme.
20 Mbroje shpirtin tim dhe liromë! Mos lejo të turpërohem, sepse jam strehuar në ty!
21 Ndershmëria dhe drejtësia më ruajtshin, sepse kam pritur për ty!
22 Shpengoje, o Perëndi, Izraelin prej të gjitha anktheve të tij!
Të gjithë librat
