Psalmet 24
1 I Davidit. Psalm. E Jahveh-ut është toka dhe mbushullia e saj, bota dhe ata që banojnë në të;
2 sepse ai mbi dete e ka themeluar dhe mbi lumenj e ka vendosur.
3 Kush do të ngjitet në malin e Jahveh-ut? Dhe kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
4 Një i pafajshëm nga duart dhe i dëlirë nga zemra, i cili nuk e ka ngritur shpirtin e tij drejt kotësisë dhe nuk është betuar me hile.
5 Ky do të marrë bekim nga ana e Jahveh-ut dhe drejtësi prej Perëndisë të shpëtimit të tij.
6 Ky është brezi i atyre që e lypin, i atyre që kërkojnë fytyrën tënde – ky është Jakobi. (selah)
7 Ngrijini, o porta, kokat tuaja! Dhe ngrihuni, o dyer të lashta, që të hyjë Mbreti i lavdisë!
8 Kush është ky Mbreti i lavdisë? Jahveh-u i fortë dhe kreshnik! Jahveh-u kreshnik në betejë!
9 Ngrijini, o porta, kokat tuaja! Dhe ngrini veten, o dyer të lashta, që të hyjë Mbreti i lavdisë!
10 Kush është vetë ky Mbreti i lavdisë? Jahveh-u i ushtrive, ai është Mbreti i lavdisë! (selah)
Të gjithë librat
