Psalmet 22
1 Për dirigjuesin. Mbi melodinë "Drenusha e agimit". Psalm i Davidit. Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise? Përse je larg nga shpëtimi im dhe nga fjalët e çirrmës sime?
2 O Perëndia im, të thërras ditën, por nuk përgjigjesh, edhe natën, dhe nuk ka qetësi për mua.
3 Gjithsesi, ti je i shenjtë, je duke banuar në lëvdimet e Izraelit.
4 Në ty kanë pasur besim etërit tanë; kanë pasur besim dhe i ke çliruar.
5 Drejt teje klithën dhe u shpëtuan, në ty patën besim dhe nuk u turpëruan.
6 Por unë jam një krimb e jo njeri, objekt poshtërimi i njerëzisë dhe i përbuzur nga populli.
7 Të gjithë ata që më shohin, më përqeshin; shtrembërojnë buzët, kokën tundin.
8 "Drejtoju Jahveh-ut!", thonë, "Le ta çlirojë ai! Le ta lirojë, sepse qe i kënaqur me të!".
9 Sigurisht, ti je që më nxore nga barku, që më bëre të kem besim qëkur isha mbi gjinjtë e nënës sime.
10 Mbi ty u hodha që nga ani, që nga barku i nënës sime Perëndia im je ti.
11 Mos qëndro larg nga unë, sepse ngushtica është afër, sepse nuk ka asnjë që ndihmon.
12 Më kanë rrethuar dema të shumtë; dema të fuqishëm të Bashanit më kanë qarkuar.
13 Kanë hapur kundër meje gojën e tyre, si një luan që shqyen dhe që vrumbullit.
14 Si ujërat jam derdhur dhe kanë dalë vendit tërë kockat e mia; zemra ime është si dylli, është shkrirë përbrenda meje.
15 Si copë qeramike është tharë forca ime dhe gjuha ime më është ngjitur për qiellzë, dhe në pluhurin e vdekjes më ke vënë.
16 Se më kanë rrethuar qen, një bandë keqbërësish më qerthulluan; si luani kanë mbërthyer duart dhe këmbët e mia.
17 Mund t'i numëroj tërë kockat e mia. Ata vetë këqyrin, shohin drejt meje,
18 i përndajnë rrobat e mia midis tyre dhe hedhin short për petkun tim.
19 Por ti, o Jahveh, mos qëndro larg! O Forca ime, në ndihmën time nxito!
20 Rrëmbeje prej shpatës jetën time; jetën time të vetme prej putrës së qenit!
21 Shpëtomë prej gojës së luanit! Dhe prej brirëve të buajve të egër me shpëtim më je përgjigjur.
22 Do t'ua kumtoj emrin tënd vëllezërve të mi; në mes të bashkësisë do të të lavdëroj.
23 O ju që keni frikë Jahveh-un, lavdërojeni! O gjithë pasardhja e Jakobit nderojeni, dhe kini drojë prej tij, gjithë ju pasardhja e Izraelit!
24 Se nuk e ka përbuzur dhe nuk e pati pështirë mjerinë e të mjerit, dhe nuk e ka fshehur fytyrën e vet prej tij, por ka dëgjuar kur i mjeri i ka thirrur për ndihmë atij.
25 Prej teje është lëvdimi im në bashkësinë e madhe; kushtet e mia do t'i përmbush përballë atyre që e kanë frikë.
26 Të përvuajturit do të hanë dhe do të ngopen; do ta lavdërojnë Jahveh-un ata që e kërkojnë. Rroftë zemra juaj përgjithmonë!
27 Do të kujtohen dhe do të kthehen drejt Jahveh-ut mbarë skajet e tokës; dhe do të bien përmbys përpara teje mbarë familjet e kombeve.
28 Se i Jahveh-ut është mbretërimi dhe ai sundon ndër kombet.
29 Do të hanë dhe do të bien përmbys të gjithë të shëndetshmit e tokës; përpara tij do të përkulen të gjithë ata që zbresin në pluhur, edhe ai që shpirtin e tij nuk e mban dot gjallë.
30 Pasardhja do t'i shërbejë atij; do t'i kumtohet për Zotin brezit të ardhshëm.
31 Do të vijnë dhe do t'ia tregojnë drejtësinë e tij një populli që do të lindet, se ai e ka bërë këtë.
Të gjithë librat
