Psalmet 21
1 Për dirigjuesin. Psalm i Davidit. O Jahveh, në forcën tënde gëzohet mbreti, dhe në shpëtimin tënd sa shumë ngazëllon!
2 Dëshirimin e zemrës së tij ia ke plotësuar dhe kërkesën e buzëve të tij nuk e ke hedhur poshtë. (selah)
3 Se i ke dalë para me bekime të së mirës; në kokë i vure kurorë ari të kulluar.
4 Jetë kërkoi prej teje, ti ia dhe atij; ditë të gjata përjetë e mot.
5 E madhe është lavdia e tij përmes shpëtimit tënd; madhështi dhe shkëlqim ke vënë mbi të.
6 Se ti vë mbi të bekime përgjithmonë; e bën të shendet me gëzim në praninë tënde.
7 Se mbreti ka besim në Jahveh-un dhe përmes besëmirësisë së Shumë të Lartit nuk do të tundet.
8 Dora jote do t'i arrijë të gjithë armiqtë e tu; e djathta jote do t'i arrijë ata që të urrejnë.
9 Do t'i bësh si një furrë zjarri në kohën e pranisë sate. Jahveh-u, në zemërimin e tij, do t'i gllabërojë dhe zjarri do t'i përpijë.
10 Pinjollët e tyre do t'i shkatërrosh prej tokës dhe pasardhjen e tyre prej bijve të njeriut.
11 Ndonëse kanë synuar kundër teje të keqen dhe kanë sajuar dredhi, nuk do të mund t'ia arrijnë.
12 Sepse do t'i bësh të kthejnë shpinën; në kordhëzat e harkut tënd do ta vendosësh shigjetën drejt fytyrave të tyre.
13 Lartësohu, o Jahveh, me forcën tënde! Ne do të këndojmë dhe do të psalmojmë për fuqinë tënde.
Të gjithë librat
