Psalmet 2
1 Përse ziejnë kombet dhe popujt pëshpëritin kotësi?
2 Mbretërit e tokës mbajnë qëndrim dhe dinjitarët këshillohen bashkë kundër Jahveh-ut dhe kundër të Vajosurit të tij.
3 "Le t'i këputim vargonjtë e tyre dhe le t'i flakim prej nesh litarët e tyre!".
4 Ai që rri ulur në qiejt qesh; Zoti i përqesh ata.
5 Atëherë do t'u flasë atyre në zemërimin e tij dhe në tërbimin e tij do t'i tmerrojë:
6 "Por unë vetë kam caktuar Mbretin tim në Sion, malin tim të shenjtë".
7 "Do të kallëzoj për dekretin e Jahveh-ut. Ai më tha: 'Biri im je ti! Unë sot të kam lindur.
8 Kërko prej meje dhe do të jap kombet si trashëgiminë tënde dhe në pronësinë tënde skajet e tokës.
9 Do t'i thyesh me një shkop hekuri, si një enë poçari do t'i thërrmosh'".
10 Dhe tani, o mbretër, bëhuni të zgjuar; korrigjohuni, o gjyqtarë të tokës!
11 Shërbejini Jahveh-ut me frikë dhe ngazëlloni me dridhma!
12 Puthni Birin, përndryshe ai do të zemërohet dhe ju do të humbisni rrugës. Se zemërimi i tij ndizet në çast. Lum gjithë ata që strehohen në të!
Të gjithë librat
