Psalmet 19
1 Për dirigjuesin. Psalm i Davidit. Qiejt po kumtojnë lavdinë e Perëndisë dhe veprën e duarve të tij po tregon kupa qiellore.
2 Dita i lëshon ditës një ligjërim dhe nata i shpall natës njohuri.
3 Nuk ka ligjërim dhe nuk ka fjalë; i padëgjueshëm është zëri i tyre.
4 Në mbarë tokën ka dalë filli matës i tyre dhe në skajin e botës fjalët e tyre. Për diellin ka vënë një çadër në qiejt,
5 dhe ai është si një dhëndër duke dalë nga dhoma e tij martesore; galdon si një kreshnik për të vrapuar në shtegun e tij.
6 Nga skaji i qiejve është lindja e tij dhe rrotullimi i tij nga skaji në skaj, dhe nuk ka asgjë që fshihet prej nxehtësisë së tij.
7 Ligji i Jahveh-ut është i përsosur, e këndell shpirtin. Dëshmia e Jahveh-ut është e besueshme, e bën të urtë të thjeshtin.
8 Porositë e Jahveh-ut janë të drejta, e gëzojnë zemrën. Urdhërimi i Jahveh-ut është i dëlirë, i ndriçon sytë.
9 Frika e Jahveh-ut është e pastër, qëndron përgjithmonë. Kanunet e Jahveh-ut janë të vërteta, janë krejt të drejta.
10 Ato janë më të dëshirueshme se ari, madje se shumë ar i kulluar; dhe më të ëmbla se mjalti, madje se mjalti i pjekur i hojeve.
11 Gjithashtu skllavi yt paralajmërohet nga ato; në të mbajturit e tyre ka fitim të madh.
12 Gabimet e veta kush i dallon?! Prej fajeve të fshehta më shfajëso!
13 Gjithashtu ruaje skllavin tënd prej mëkatesh krenie; mos sundofshin mbi mua! Atëherë do të jem i pacen dhe i pafajshëm nga një shkelje e rëndë.
14 Qofshin të pëlqyeshme thëniet e gojës sime dhe përsiatja e zemrës sime përpara teje, o Jahveh, shkëmbi im dhe shpenguesi im!
Të gjithë librat
