Psalmet 18
1 Për dirigjuesin. Këngë e shërbëtorit të Jahveh-ut, Davidit, i cili i drejtoi Jahveh-ut fjalët e kësaj kënge në ditën që Jahveh-u e liroi prej pëllëmbës së të gjithë armiqve të tij dhe prej dorës së Saulit. Dhe ai tha: "Të dua, o Jahveh, forca ime!".
2 Jahveh-u është shkrepi im dhe kështjella ime, dhe çliruesi im, Perëndia im, shkëmbi im në të cilin strehohem, mburoja ime dhe briri i shpëtimit tim, fortesa ime.
3 Të lavdërueshmin, Jahveh-un, e thërras, dhe prej armiqve të mi shpëtoj.
4 Më qarkuan litarët e vdekjes dhe përrenj shkatërrimi më tmerruan.
5 Litarët e Sheolit më rrethuan; u ndeshën me mua kurthet e vdekjes.
6 Në ngushticën time i thirra Jahveh-ut dhe drejt Perëndisë tim thirra për ndihmë. Ai e dëgjoi nga tempulli i tij zërin tim dhe thirrja ime për ndihmë përpara tij, arriti në veshët e tij.
7 Dhe toka u trondit e u drodh; edhe themelet e maleve u trandën dhe u tronditën, sepse ai u nxeh.
8 Tym u ngjit nga flegrat e tij dhe një zjarr nga goja e tij përpinte; thëngjij flakëronin prej tij.
9 Dhe ai përkuli qiejt e zbriti, dhe një mjegull e dendur qe poshtë këmbëve të tij.
10 Dhe hipi mbi kerubin e fluturoi; dhe fluturoi vrik mbi flatrat e erës.
11 E bëri errësirën vendin e tij të fshehjes, shatorren e vet përreth tij; errësirë ujërash, re të zeza sterrë.
12 Prej shkëlqimit para tij, retë e tij të zeza kaluan; breshër dhe thëngjij zjarri.
13 Dhe gjëmoi në qiej Jahveh-u, dhe Shumë i Larti nxori zërin e tij; breshër dhe thëngjij zjarri.
14 Dhe lëshoi shigjetat e tij e i shpërndau ata, dhe vetëtimat i shumoi e i ngatërroi ata.
15 Dhe u shfaqën kanalet e ujërave, dhe u zbuluan themelet e botës prej hakërrimit tënd, o Jahveh, prej shfrimit të frymës së flegrave të tua.
16 Dhe dërgoi nga lartësia e më mori; më qiti prej ujërave të shumta.
17 Më liroi prej armikut tim të fortë dhe prej atyre që më urrenin, sepse ishin më të fortë se unë.
18 U ndeshën me mua në ditën e fatkeqësisë sime, por Jahveh-u ka qenë mbështetje për mua,
19 dhe më nxori në një vend të gjerë; më çliroi, sepse ishte i kënaqur me mua.
20 Jahveh-u ma shpërbleu sipas drejtësisë sime; sipas pastërtisë së duarve të mia ma ktheu.
21 Sepse i kam mbajtur rrugët e Jahveh-ut dhe nuk kam qenë i lig duke u larguar nga Perëndia im.
22 Sepse të gjitha kanunet e tij i kisha përpara meje dhe statutet e tij nuk i kam larguar prej meje.
23 Dhe kam qenë i ndershëm me të, dhe e kam përmbajtur veten nga paudhësia ime.
24 Prandaj Jahveh-u ma ktheu sipas drejtësisë sime, sipas pastërtisë së duarve të mia para syve të tij.
25 Me besëmirin tregohesh besëmirë, me burrin e ndershëm tregohesh i ndershëm.
26 Me atë që është i pastër, tregohesh i pastër, dhe me të çoroditurin tregohesh finok.
27 Se ti e shpëton një popull të mjerë dhe sytë që përpjeten i bën të ulen.
28 Se ti e ndez kandilin tim; Jahveh-u, Perëndia im, e ndriçon errësirën time.
29 Se me ty do të vrapoj kundër një çete dhe me Perëndinë tim do të kapërcej një mur.
30 Perëndia! E përsosur është rruga e tij; thënia e Jahveh-ut është e rafinuar. Ai është mburojë për të gjithë ata që strehohen në të.
31 Se kush është Perëndi përveç Jahveh-ut? Dhe kush është shkëmb përpos Perëndisë tonë?
32 Perëndia! Ai që më ngjesh me forcë dhe e bën të përsosur rrugën time;
33 që i bën këmbët e mia si të drenushave dhe mbi vendet e mia të larta më bën të qëndroj;
34 që i mëson duart e mia për luftë dhe i bën krahët e mi të ndejnë një hark bronzi.
35 Ti edhe më ke dhënë mburojën e shpëtimit tënd dhe e djathta jote më mban, dhe denjimi yt më bën të madh.
36 Ti e zgjeron hapin tim poshtë meje dhe kyçet e këmbëve të mia nuk ndrydhen.
37 Unë i ndjek armiqtë e mi e i arrij, dhe nuk kthehem pas derisa t'i zhduk.
38 I dërrmoj dhe nuk mund të çohen; bien poshtë këmbëve të mia.
39 Dhe ti më ngjesh me forcë për luftë; ata që çohen kundër meje, poshtë meje i përmbys.
40 Edhe armiqtë e mi i ke bërë të më kthejnë kurrizin, dhe ata që më urrejnë, do t'i asgjësoj.
41 Thërrasin për ndihmë, por nuk ka asnjë që i shpëton, madje drejt Jahveh-ut, por nuk u përgjigjet.
42 Atëherë i grimcoj si pluhurin para erës, si baltën e rrugëve i flak jashtë.
43 Ti më çliron nga grindjet e popullit, më vër si krye të kombeve; një popull që nuk e kam njohur, më shërben.
44 Me të shkuar fjala në vesh, më binden; bijtë e të huajit më lëvaren.
45 Bijtë e të huajit mpaken dhe dalin duke u dridhur nga rrethimet.
46 Jahveh-u është i gjallë, dhe i bekuar qoftë Shkëmbi im! Dhe u lartësoftë Perëndia i shpëtimit tim!
47 Perëndia! Ai që merr hak për mua dhe i vë popujt poshtë meje,
48 që më çliron prej armiqve të mi; po, prej atyre që çohen kundër meje, më ngre lart, prej njeriut të dhunshëm më liron.
49 Për këtë arsye do të të përlëvdoj ndër kombet, o Jahveh, dhe për emrin tënd do të psalmoj:
50 Ai është që bën vepra të mëdha shpëtuese për mbretin e tij dhe që i tregon besëmirësi të vajosurit të tij, Davidit, dhe pasardhjes së tij në përjetësi.
Të gjithë librat
