Psalmet 17
1 Lutje e Davidit. Dëgjo, o Jahveh, një çështje të drejtë! Dëgjo me vëmendje britmën time! Vërja veshin lutjes sime, që nuk del nga buzë hileqare.
2 Nga prania jote ardhtë e drejta ime! Sytë e tu shikofshin sinqeritet!
3 E ke provuar zemrën time, më ke vizituar natën; më ke kaluar në provë, nuk ke gjetur gjë. E kam vënë si qëllim: nuk do ta shkelë goja ime.
4 Sa për veprat e njeriut, përmes fjalës së buzëve të tua unë jam përmbajtur nga udhët e të egrit.
5 Hapat e mi janë mbështetur në gjurmët e tua; nuk janë lëkundur këmbët e mia.
6 Unë të kam thirrur, sepse do të më përgjigjesh, o Perëndi. Anoje veshin tënd drejt meje, dëgjo atë që them!
7 Shfaq mahnitshëm veprat e tua të besëmirësisë, o ti që i shpëton, prej atyre që u çohen kundër, ata që strehohen në të djathtën tënde.
8 Mbromë si beben e syrit! Nën hijen e flatrave të tua më fshih,
9 prej pranisë së të ligjve të cilët më kanë shkretuar, prej armiqve të mi për vdekje, që mua më qerthullojnë.
10 Kanë mbyllur zemrën e pandjeshme, me gojën e tyre flasin me të madh.
11 Hapat tanë kanë ndjekur, tani na kanë rrethuar; na e kanë vënë syrin për të na shtrirë përtokë.
12 I ngjashëm si luani, dëshiron të shqyejë, dhe si luan i ri rri në vende të fshehta.
13 Çohu, o Jahveh, përballu me të dhe përmbyse! Çliroje shpirtin tim prej të ligut me shpatën tënde,
14 prej njerëzve me dorën tënde, o Jahveh, prej njerëzve nga bota, pjesa e të cilëve është në këtë jetë dhe me çfarë ti siguron, e mbush barkun e tyre. Ata ngopen me bij dhe ua lënë teprinë të vegjëlve të tyre.
15 Unë për vete, në drejtësi do të shikoj fytyrën tënde; do të ngopem, kur të zgjohem, me pamjen tënde.
Të gjithë librat
