Psalmet 148
1 Lavdëroni Jah-un! Lavdëroni Jahveh-un prej qiejve! Lavdërojeni në vendet e larta!
2 Lavdërojeni, të gjithë ju engjëjt e tij! Lavdërojeni, të gjitha ushtritë e tij!
3 Lavdërojeni, diell dhe hënë! Lavdërojeni, të gjithë ju yjet e shndritshëm!
4 Lavdërojeni, ju qiejt e qiejve dhe ju ujërat që ndodheni përsipër qiejve!
5 Le ta lavdërojnë emrin e Jahveh-ut, sepse ai urdhëroi dhe ato u krijuan.
6 Dhe ai i vendosi ato përgjithmonë, përjetë; dha një statut dhe nuk do të kalojë.
7 Lavdërojeni Jahveh-un nga toka, përbindësha deti dhe të gjitha thellësitë,
8 zjarr dhe breshër, borë dhe tym i dendur, erë e stuhishme, që zbaton fjalën e tij,
9 malet dhe të gjitha kodrat, pemë frutore dhe të gjithë cedrat,
10 bishë dhe çdo bagëti, zvarranik dhe zog me flatra,
11 mbretër të tokës dhe të gjithë popujt, princa dhe të gjithë gjyqtarët e tokës,
12 djem edhe virgjëresha, pleq bashkë me të rinj.
13 Le ta lavdërojnë emrin e Jahveh-ut, sepse vetëm emri i tij lartësohet; madhështia e tij është mbi tokë dhe qiej.
14 Dhe ai ka ngritur lart një bri për popullin e tij, lëvdim për të gjithë besëmirët e tij, për bijtë e Izraelit, një popull i afërt për të. Lavdëroni Jah-un!
Të gjithë librat
