Psalmet 147
1 Lavdëroni Jah-un! Se është e mirë të psalmosh për Perëndinë tonë, se është e këndshme dhe me vend lëvdimi.
2 Jahveh-u është ai që ndërton Jerusalemin, ai i mbledh të dëbuarit e Izraelit;
3 ai që shëron ata që janë të thyer në zemër dhe që lidh plagët e tyre;
4 që llogarit numrin e yjeve dhe u vë emra të gjithëve atyre.
5 I madh është Zoti ynë dhe e pamasë forca e tij; mençuria e tij nuk ka kufi.
6 Jahveh-u është ai që mëkëmb të përvuajturit dhe që bën të ulen deri në tokë të ligjtë.
7 Këndojini Jahveh-ut me përlëvdim, luani muzikë në qeste për Perëndinë tonë!
8 Jahveh-u është ai që mbulon qiejt me re, ai që përgatit për tokën shi, ai që bën të mbijë maleve bari,
9 që i jep kafshës ushqimin e saj dhe zogjve të korbit, të cilët thërrasin.
10 Ai nuk kënaqet në fuqinë e kalit; nuk gjen kënaqësi në këmbët e njeriut.
11 Jahveh-u gjen kënaqësi tek ata që e kanë frikë, tek ata që shpresojnë te besëmirësia e tij.
12 Bëji lëvdata, o Jerusalem, Jahveh-ut! Lavdëro Perëndinë tënd, o Sion!
13 Sepse ai ka përforcuar shulat e portave të tua, ka bekuar bijtë e tu në mesin tënd.
14 Është ai që vë në kufirin tënd paqe; me pjesën më të mirë të grurit të ngin.
15 Është ai që i dërgon urdhrin e tij tokës; me shpejtësi fjala e tij vrapon.
16 Është ai që e jep borën si lesh dhe brymën e shpërndan si hi,
17 që hedh akullin e tij si copa; kush mund të qëndrojë përpara të ftohtit të tij?!
18 Ai dërgon fjalën e tij dhe i shkrin; bën të fryjë era e tij dhe ujërat rrjedhin.
19 Është ai që ia njofton fjalën e vet Jakobit, statutet e tij dhe kanunet e tij Izraelit.
20 Nuk ka bërë kështu për ndonjë komb dhe kanunet e tij nuk i kanë njohur. Lavdëroni Jah-un!
Të gjithë librat
