Psalmet 146
1 Lavdëroni Jah-un! Lavdëro, o shpirti im, Jahveh-un!
2 Do ta lavdëroj Jahveh-un gjatë jetës sime. Do të psalmoj për Perëndinë tim për sa të jem.
3 Të mos kini besim te fisnikët, te një bir njeriu në të cilin nuk ka shpëtim.
4 Fryma e tij del, ai kthehet në dheun e tij; në po atë ditë kanë marrë fund synimet e tij.
5 Lum ai i cili ka Perëndinë e Jakobit si ndihmën e tij; shpresa e tij është te Jahveh-u, Perëndia i tij,
6 që ka bërë qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në ta; ai që e mban besnikërinë përjetë,
7 që bën drejtësi për të shtypurit, që u jep bukë të uriturve. Jahveh-u i liron të burgosurit.
8 Jahveh-u u hap sytë të verbërve. Jahveh-u i ngre të kërrusurit. Jahveh-u i do të drejtët.
9 Jahveh-u i mbron ardhësit; jetimin dhe të venë i mëkëmb, por rrugën e të ligjve e përdredh.
10 Jahveh-u do të mbretërojë përjetë, Perëndia yt, o Sion, për breza e breza. Lavdëroni Jah-un!
Të gjithë librat
