Psalmet 145
1 Lëvdim nga Davidi. Do të të lartësoj, o Perëndia im, o Mbret, dhe do ta bekoj emrin tënd përjetë e mot.
2 Për çdo ditë do të të bekoj dhe do ta lavdëroj emrin tënd përjetë e mot.
3 I madh është Jahveh-u dhe i lavdërueshëm fort, dhe madhështia e tij nuk mund të hulumtohet.
4 Një brez do t'i thurë lëvdata veprave të tua për një brez tjetër dhe ata do të tregojnë veprat e tua të fuqishme.
5 Shkëlqimin e lavdisë së madhështisë sate dhe gjëra nga veprat e tua të mrekullueshme do të përsiat.
6 Dhe ata do të flasin për forcën e veprave të tua të frikshme, dhe unë do të kumtoj madhështinë tënde.
7 Kujtimin e mirësisë sate të shumtë do ta përhapin dhe për drejtësinë tënde do të lëshojnë britma hareje.
8 I hirshëm dhe i dhembshur është Jahveh-u, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në besëmirësi.
9 I mirë është Jahveh-u ndaj të gjithëve, dhe përdëllimet e tij janë mbi të gjitha veprat e tij.
10 Do të të përlëvdojnë, o Jahveh, të gjitha veprat e tua, dhe besëmirët e tu do të të bekojnë.
11 Për lavdinë e mbretërisë sate do të flasin, dhe për fuqinë tënde do të shprehen,
12 që t'ua bëjnë të njohura bijve të njeriut veprat e tua të fuqishme dhe lavdinë e shkëlqimit të mbretërisë së tij.
13 Mbretëria jote është mbretëri e të gjitha epokave, dhe sundimi yt zgjat për breza me radhë.
14 Jahveh-u i mbështet të gjithë ata që bien dhe i ngre lart të gjithë të kërrusurit.
15 Sytë e të gjithëve drejt teje presin dhe në kohën e vet ti u jep atyre ushqimin që u takon,
16 dorën tënde duke hapur dhe çdo gjallesë duke e ngopur me çfarë ka dëshirë.
17 I drejtë është Jahveh-u në të gjitha rrugët e tij, dhe besëmirë në të gjitha veprat e tij.
18 Jahveh-u është afër të gjithëve atyre që e thërrasin, të gjithëve atyre që do ta thërrasin në të vërtetë.
19 Dëshirën e atyre që e kanë frikë, do ta përmbushë, dhe thirrjen e tyre për ndihmë do ta dëgjojë e do t'i shpëtojë.
20 Jahveh-u i mbron të gjithë ata që e duan, por të gjithë të ligjtë do t'i shfarosë.
21 Lëvdimin e Jahveh-ut do ta shprehë goja ime dhe çdo mish do të bekojë emrin e tij të shenjtë, përjetë e mot.
Të gjithë librat
