Psalmet 143
1 Psalm i Davidit. O Jahveh, dëgjoje lutjen time! Vërua veshin përgjërimeve të mia! Në besnikërinë tënde përgjigjmu, në drejtësinë tënde!
2 Dhe mos hyr në gjykim me skllavin tënd, se para teje nuk është i drejtë asnjë i gjallë.
3 Se armiku e ka përndjekur shpirtin tim, ka dërrmuar përtokë jetën time, më ka bërë të banoj në vende të errëta, si të vdekurit që qëmoti.
4 Prandaj mpaket fryma ime në mua; përbrenda meje llahtariset zemra ime.
5 Kujtoj ditët e lashtësisë; përsiat mbi gjithë punën tënde; në veprën e duarve të tua e çoj mendjen.
6 I kam shtrirë duart e mia drejt teje; shpirti im, si një tokë e fikur, ka etje për ty. (selah)
7 Përgjigjmu shpejt, o Jahveh! Më mbaroi fryma! Mos e fshih fytyrën tënde prej meje, përndryshe do të ngjasoj me ata që zbresin në gropë.
8 Më bëj të dëgjoj në mëngjes besëmirësinë tënde, sepse në ty kam besim. Më bëj të njoh rrugën në të cilën do të ec, sepse drejt teje e ngre shpirtin tim.
9 Liromë prej armiqve të mi, o Jahveh! Te ti jam strukur.
10 Mësomë që të bëj vullnetin tënd, sepse ti je Perëndia im! Fryma jote e mirë më udhëheqtë në tokë të sheshtë!
11 Për hir të emrit tënd, o Jahveh, më mbaj gjallë! Në drejtësinë tënde, nxirre nga ngushtica shpirtin tim!
12 Dhe në besëmirësinë tënde, asgjësoji armiqtë e mi dhe shkatërroji të gjithë kundërshtarët e shpirtit tim, sepse unë jam skllavi yt!
Të gjithë librat
