Psalmet 142
1 Maskil i Davidit kur qe në shpellë. Lutje. Me zërin tim drejt Jahveh-ut këlthas; me zërin tim drejt Jahveh-ut përgjërohem.
2 Unë derdh para tij ankimin tim; ngushticën time e tregoj para tij.
3 Kur mpakej fryma ime në mua, edhe ti e ke ditur shtegun tim. Në udhën ku eci, kanë fshehur një çark për mua.
4 Këqyr djathtas dhe shih që nuk ka asnjë që më vë re; nuk gjendet një vend shpëtimi për mua; nuk ka asnjë që kujdeset për shpirtin tim.
5 Këlthita drejt teje, o Jahveh. Thashë: "Ti je streha ime, pjesa ime në tokën e të gjallëve".
6 Dëgjoje me vëmendje britmën time, sepse kam rënë tepër poshtë! Liromë prej përndjekësve të mi, sepse janë më të fortë se unë!
7 Nxirre prej burgut shpirtin tim, që ta përlëvdoj emrin tënd! Mua do të më qarkojnë të drejtët, sepse do të tregohesh i mirë me mua.
Të gjithë librat
