Psalmet 140
1 Për dirigjuesin. Psalm i Davidit. Çliromë, o Jahveh, prej njeriut të lig; prej njeriut të dhunshëm më ruaj.
2 Ata sajojnë të këqija në zemër dhe çdo ditë nxisin luftëra.
3 Kanë mprehur gjuhën e tyre porsi gjarpri, helm nepërke ka nën buzët e tyre. (selah)
4 Mbromë, o Jahveh, prej duarve të të ligut, prej njeriut të dhunshëm më ruaj. Ata kanë sajuar mënyra për të më penguar këmbët.
5 Mendjemëdhenjtë kanë fshehur një çark për mua dhe litarë; kanë shtrirë një rrjetë buzë shtegut, kanë vënë kurthe për mua. (selah)
6 I thashë Jahveh-ut: "Perëndia im je ti! Vërja veshin, o Jahveh, zërit të përgjërimeve të mia!".
7 O Jahveh, o Zot, forca e shpëtimit tim, ti ma ke mbuluar kokën në ditën e armëve.
8 Mos i plotëso, o Jahveh, dëshirat e të ligut! Intrigën e tij mos e mundëso, ndryshe ata do të lartësohen. (selah)
9 Kokat e atyre që më rrethojnë, i mbuloftë prapësia e buzëve të tyre!
10 U shkundshin mbi ta thëngjij, në zjarr i bëfsh të bien, në gropa të thella, që të mos çohen!
11 Njeriu shpifës mos qëndroftë mbi tokë; e keqja e gjuajttë njeriun e dhunshëm, goditje mbas goditjeje!
12 E di se Jahveh-u do ta mbrojë çështjen e të varfrit dhe të drejtën e nevojtarëve.
13 Po, të drejtët do ta përlëvdojnë emrin tënd, të drejtët do të banojnë në praninë tënde.
Të gjithë librat
