Psalmet 139
1 Për dirigjuesin. I Davidit. Psalm. O Jahveh, ti më ke hetuar dhe më njeh.
2 Ti e di të ulurit dhe të çuarit tim; e kupton nga larg mendimin tim.
3 Të bredhurit dhe të shtrirët tim i shqyrton mirë, dhe të gjitha rrugët e mia i njeh mirë.
4 Se pa pasur ende një fjalë në gjuhën time, ja, o Jahveh, ti e di të gjithën.
5 Mbrapa dhe para më ke rrethuar dhe pëllëmbën tënde mbi mua e ke vënë.
6 Kaq e mrekullueshme është kjo njohuri për mua; është e lartë, nuk mund ta arrij.
7 Ku do të shkoj, larg prej Frymës sate dhe prej pranisë sate, ku do të iki?
8 Nëse ngjitem në qiej, atje je ti; dhe nëse e shtroj shtratin në Sheol, ja, ti je atje!
9 Nëse marr flatrat e agimit, nëse banoj në anët përtej detit,
10 edhe atje dora jote do të më udhëheqë, dhe e djathta jote do të më mbërthejë.
11 E nëse them: "Me siguri errësira do të më mbulojë dhe drita rreth meje do të bëhet natë",
12 edhe errësira nuk do të jetë aq errësirë për ty dhe nata do të ndriçojë si dita; si errësira, si drita janë njëlloj për ty.
13 Se ti i ke përftuar pjesët e mia të brendshme dhe më endje në barkun e nënës sime.
14 Do të të përlëvdoj, për shkak se jam bërë në mënyrë të frikshme dhe të mrekullueshme; të mrekullueshme janë veprat e tua, dhe shpirti im e di fort mirë.
15 Nuk qenë të fshehura eshtrat e mia për ty, kur u bëra në fshehtësi, kur u thura në pjesët e poshtme të tokës.
16 Patrajtësinë time e panë sytë e tu dhe në librin tënd ishin shkruar të gjitha ato, ditët që qenë formuar për mua, megjithëse nuk ishte ende asnjë nga ato.
17 Dhe për mua, sa të shtrenjta janë mendimet e tua, o Perëndi, sa e panumërt është shuma e tyre!
18 Nëse do t'i numëroja, janë më shumë se rëra. Zgjohem, dhe unë ende jam me ty.
19 Oh, sikur ta vrisje të ligun, o Perëndi! Dhe ju, o njerëz gjakatarë, largohuni prej meje!
20 Ata flasin kundër teje me dredhi; kanë përdorur emrin tënd më kot kundërshtarët e tu.
21 A nuk i urrej ata që të urrejnë ty, o Jahveh, dhe a nuk më vjen të pështirë për ata që çohen kundër teje?!
22 Me plot urrejtje i urrej, për veten time i mbaj si armiq.
23 Hetomë, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; provomë dhe njihi meraket e mia.
24 Dhe shih nëse ka në mua ndonjë rrugë lënduese, dhe më udhëhiq në rrugën e përjetshme.
Të gjithë librat
