Psalmet 138
1 I Davidit. Do të të përlëvdoj me gjithë zemrën time; përballë perëndive do të psalmoj për ty.
2 Do të bie përmbys drejt tempullit tënd të shenjtë dhe do ta përlëvdoj emrin tënd, për besëmirësinë tënde dhe për besnikërinë tënde, sepse e ke madhëruar thënien tënde përmbi gjithë emrin tënd.
3 Në ditën kur thirra, m'u përgjigje; më bëre të guximshëm me forcë në shpirtin tim.
4 Le të të përlëvdojnë, o Jahveh, të gjithë mbretërit e tokës, sepse i dëgjuan thëniet e gojës sate.
5 Dhe le të këndojnë për rrugët e Jahveh-ut, sepse e madhe është lavdia e Jahveh-ut.
6 Ndonëse Jahveh-u është lart, edhe të përulurin e sheh; ndërsa kryelartin e njeh nga larg.
7 Nëse do të ec në mes të ngushticës, do të më mbash gjallë; kundër zemërimit të armiqve të mi do ta shtrish dorën tënde, dhe e djathta jote do të më shpëtojë.
8 Jahveh-u do të përmbushë gjithçka në lidhje me mua. O Jahveh, besëmirësia jote zgjat përjetë; veprat e duarve të tua mos i braktis!
Të gjithë librat
